Vendosni fjalën kyçe....

GJKKO urdhëron SPAK të hetojë deputetin Arjan Ndoja për pastrim parash dhe fshehje pasurie


GJKKO ka urdhëruar SPAK-un të nisë hetimet ndaj deputetit të Rithemelimit, Arjan Ndoja, për dy akuza penale: “pastrim parash” dhe “fshehje apo mosdeklarim pasurie”.

Vendimi është marrë nga gjyqtari i GJKKO-së, Erion Çela, i cili ka konstatuar pavlefshmërinë e kërkesës së Prokurorisë së Tiranës për pushimin e çështjes.

Sipas burimeve, hetimet pasurore ndaj Ndojës kanë nisur që në vitin 2023. Mirëpo, pas zgjedhjes së tij si deputet në zgjedhjet e 11 majit, Prokuroria e Tiranës i kërkoi Gjykatës së Shkallës së Parë të pushojë çështjen, duke argumentuar se tashmë kompetenca i kalon SPAK-ut. Kjo kërkesë u shpall e pavlefshme.

Gjykata e Tiranës deklaroi moskompetencë dhe ia përcolli çështjen GJKKO-së.

 Sot, gjyqtari Çela vendosi që të gjitha aktet e hetimit të kryera nga Prokuroria e Tiranës gjatë dy viteve të fundit të kalojnë në SPAK, duke e detyruar këtë të fundit të regjistrojë procedimin penal dhe të nisë zyrtarisht hetimet.

Sipas arsyetimit të gjykatës, statusi i Ndojës ka ndryshuar gjatë kohës së shqyrtimit të çështjes, pasi ai është bërë deputet. Për këtë arsye, kompetenca për hetimin e veprave penale “pastrim parash” dhe “fshehje apo mosdeklarim pasurie” i takon SPAK-ut.

Çështja pritet të marrë zhvillime të tjera, teksa SPAK do të duhet të analizojë të gjitha aktet e deritanishme dhe të vendosë mbi hapat e mëtejshëm hetimor.