
Ish-kryeministri Sali Berisha nuk u paraqit sot në SPAK, ndonëse prokuroria i kishte dërguar fletëthirrjen në tre adresa të ndryshme, në banesë, në Kuvend dhe në selinë e PD. Ai ishte thirrur në orën 10:00 për t’u pyetur si person me dijeni mbi vrasjen e 4 protestuesve më 21 janar 2011.
SPAK njoftoi se fletëthirrja e dytë, e datës 7 nëntor, ka mbërritur zyrtarisht në të gjitha adresat, por Berisha sërish nuk u paraqit, duke pretenduar se nuk e kishte marrë njoftimin. Në Kuvend, grupi parlamentar i PD refuzoi ta tërhiqte fletëthirrjen, e cila u kthye në protokoll.
Nëse Berisha refuzon edhe thirrjen e tretë, SPAK ka të drejtë të urdhërojë shoqërimin e tij me forcë.