Vendosni fjalën kyçe....

Zelensky viziton vijën e frontit juglindor: Ukraina përballet me presion të shtuar ndërsa Rusia avancon



Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vizitoi të enjten trupat pranë vijës së frontit juglindor, duke paralajmëruar për nevojën urgjente për të forcuar mbrojtjen pas humbjes së disa pozicioneve në beteja gjithnjë e më intensive, larg ofensivës kryesore ruse në lindje, përcjell Reuters.

Zelensky, qeveria e të cilit është tronditur nga një skandal korrupsioni, tha se situata pranë fshatit Orikhiv mbetet “një nga më të vështirat” në gjithë frontin, duke theksuar se frenimi i forcave ruse në këtë zonë është vendimtar për mbrojtjen e qytetit strategjik të Zaporizhzhias.

“(Zaporizhzhia) është një qytet i rëndësishëm, armiku sigurisht e dëshiron. Ne duhet patjetër ta mbrojmë,” deklaroi ai, ndërsa shpërndau medalje për ushtarët dhe diskutoi masa për forcimin e linjave mbrojtëse.

Ndërsa asnjëra palë nuk ka arritur përparime të mëdha që nga viti i parë i pushtimit rus në 2022, forcat e Moskës – të cilat kontrollojnë rreth 19% të territorit ukrainas – kanë qenë në ofensivë që prej fundvitit 2023 dhe kanë avancuar gradualisht.

Rusia po i afrohet kapjes së qytetit të Pokrovskut në lindje dhe po shton presionin në Kupiansk në verilindje, ndërsa përkeqësimi i situatës në juglindje po shqetëson Kievin dhe aleatët e tij.

Komandanti i lartë ukrainas Oleksandr Syrskyi tha se Pokrovsku mbetet qendra e mbrojtjes ukrainase, ndërsa trupat po operojnë “në mënyrë efektive”. Ai shtoi se forcat ukrainase po fitonin terren pranë fshatit Ocheretyne, duke tërhequr një pjesë të forcave ruse dhe duke lehtësuar presionin në Pokrovsk.

Një paralajmërim i tij më herët këtë javë, ku pranoi se situata në rajonin e Zaporizhzhias ishte “përkeqësuar ndjeshëm”, u përshkrua nga analistët si një akt i rrallë sinqeriteti publik.

Sipas Konrad Muzyka, drejtor i kompanisë së konsulencës ushtarake Rochan në Poloni, rreth gjysma e përparimeve të fundit ruse gjatë dy muajve të fundit janë regjistruar rreth vendbanimeve juglindore Huliapole dhe Velyka Novosilka.

“Edhe pse kjo nuk është përpjekja kryesore ruse, mungesa e personelit në ushtrinë ukrainase u ka mundësuar forcave ruse të bëjnë përparime taktike domethënëse,” tha ai.

Ai paralajmëroi se nëse Ukraina nuk mbyll boshllëqet në këtë zonë, forcat ruse mund të shtyjnë më tej drejt perëndimit, duke u afruar jo vetëm me Zaporizhzhian, por edhe duke rrezikuar izolimin e njësive ukrainase në jug.