Vendosni fjalën kyçe....

Tre prioritetet e ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha në vitin e parë, ID digjitale dhe ‘Smart City’


Ministri i ri i Brendshëm, Ervin Hoxha, i cili është në detyrë prej rreth dy muajsh, ka prezantuar disa qëllime strategjike për Policinë e Shtetit dhe sigurinë publike, të cilat synon t’i realizojë deri në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm.

Një ndër projektet kryesore të ministrit Hoxha është riorganizimi i strukturave të Policisë së Shtetit. Me miratimin e ligjit të ri për gradat në polici, Hoxha synon përfshirjen e një brezi të ri drejtuesish të rinj e ambiciozë. Gara për postin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë ka nisur, ndërsa pritet të hapen edhe konkurset për drejtuesit e qarqeve dhe departamenteve. Ministri i ka kushtuar vëmendje edhe komunikimit të drejtuesve me publikun, duke theksuar rëndësinë e transparencës dhe përfshirjes së grave në pozicione drejtuese.

Një tjetër projekt madhor është implementimi i programit “Smart City”, i cili do të monitorojë 20 qytetet më të mëdha të vendit me kamera të teknologjisë së avancuar, me fokus sigurinë publike dhe parandalimin e krimeve. Ky sistem do të monitorojë veprimtaritë e paligjshme në kohë reale dhe do të ndihmojë në menaxhimin efektiv të burimeve policore.

Së fundmi, ministri Hoxha njoftoi se një projekt inovativ është në zhvillim karta e identitetit digjitale. Kjo kartë do të mundësohet nga kompania shtetërore “Identitek” dhe do t’u japë qytetarëve shqiptarë mundësinë që të kenë një formë digjitale të identifikimit në celularin e tyre, duke shmangur nevojën për të mbajtur kartën fizike me vete.