Vendosni fjalën kyçe....

Migrantët iranianë vizitojnë Izraelin: Izraeli nuk është ai që na ka treguar regjimi



Dhjetë migrantë iranianë – gazetarë, aktivistë dhe influencues me mbi dy milionë ndjekës – vizituan Izraelin gjatë ditëve të fundit si pjesë e misionit “Cyrus”, një udhëtim i organizuar nga organizata Sharaka që synon ndërtimin e urave mes Izraelit dhe botës myslimane. Qëllimi i tyre ishte të shohin realitetin e Izraelit me sytë e tyre, të sfidojnë propagandën e regjimit të Teheranit dhe të takohen me viktima të terrorizmit, përcjell YNetNews.

Matiyeh Hadir, një ish-agjent sekret që u arratis nga Irani, deklaroi në Jerusalem se “barbaria e Republikës Islamike ndaj civilëve të pafajshëm, sidomos ndaj popullit izraelit, ka kaluar çdo kufi njerëzor dhe moral”. Ai shtoi se për vite me radhë regjimi iranian ka përhapur urrejtje në emër të fesë, por “populli iranian nuk është palë me këto krime”. Hadir theksoi se shumë iranianë admirojnë qëndrimin e Izraelit kundër terrorizmit dhe e shohin atë si një vend të lirë që lufton të njëjtin armik që i shtyp edhe ata.

Delegacioni, i përbërë kryesisht nga figura që jetojnë prej vitesh në mërgim dhe që janë bërë zëra të fuqishëm të diasporës iraniane, pati një program të ngjeshur vizitash. Ata shëtitën në Muzeun e Artit Islam, Qytetin e Vjetër të Jerusalemit, vizituan pikëvështrime rreth qytetit, u takuan në Ministrinë e Jashtme dhe u ndalën në Bibliotekën Kombëtare për të parë dorëshkrime të rralla persiane. Në Yad Vashem, ata dëgjuan historinë e të mbijetuarës së Holokaustit, Rina Quint, dhe zhvilluan një ceremoni përkujtimore në Sallën e Përkujtimit.

Një nga momentet më të forta të udhëtimit ishte vizita në kufirin me Gazën – në Kfar Gaza, në memorialin e festivalit Nova dhe në Kibbutz Dorot – ku grupi u takua me të mbijetuar të masakrës së 7 tetorit. “E pamë shkatërrimin me sytë tanë. Kjo nuk ishte një ‘përplasje’; ky ishte terror i pastër,” tha një prej pjesëmarrësve.

Udhëtimi vazhdoi në Tel Aviv, ku migrantët iranianë u takuan me një familje perse në Jaffa, ndoqën një ligjëratë për inovacionin dhe morën pjesë në një aktivitet të quajtur “Dita e Cyrusit”. Në Haifa, ata vizituan Bahai Gardens dhe Daliyat al-Karmel, duke thënë se ishin të impresionuar nga diversiteti i shoqërisë izraelite. “Izraeli nuk është ai që regjimi u tregon iranianëve,” u shprehën ata.

Behzad Mehrani, aktivist politik dhe ish-i burgosur në Iran, deklaroi se lufta 12-ditore nuk ishte një konflikt mes Izraelit dhe popullit iranian, por midis Izraelit dhe regjimit të Teheranit. “Shumica e iranianëve e refuzojnë politikën e urrejtjes së ajatollahëve. Populli ynë kërkon liri, drejtësi dhe paqe – jo terror e shtypje,” tha ai.

Samuel Davoud, zëdhënës i organizatës HOOMA, theksoi se lufta e popullit iranian kundër regjimit është një “betëjë për gjithë njerëzimin”. Sipas tij, iranianët janë “të etur për liri” dhe kërkojnë një aleat që t’i ndihmojë të çlirohen nga regjimi. “Dita e rënies së tij është më afër se kurrë. Popujt iranian dhe izraelit ndajnë një fat të përbashkët si dy popuj të lirë në zemër,” u shpreh ai.

Ndërsa grupi ishte i bashkuar në mbështetjen e popullit izraelit, ata u ndanë në mendimet e tyre mbi rrezikun e një sulmi të ri iranian. Hadir beson se konservatorët iranianë mund të provokojnë një konflikt tjetër për t’i bërë presion reformistëve që sipas tij po forcohen. Në të kundërt, Davoud mendon se regjimi nuk do të guxojë të hapë një front të ri nga frika e pasojave.

Migrantët u larguan nga Izraeli me një mesazh të qartë: populli iranian dhe ai izraelit nuk janë armiq, dhe propaganda e regjimit nuk përfaqëson as realitetin, as aspiratat e iranianëve.