
Verizon planifikon të shkurtojë rreth 15,000 vende pune në shkurtimin më të madh të punonjësve ndonjëherë në kompaninë e telekomunikacionit, si pjesë e një ristrukturimi nën shefin e saj të ri, tha të enjten për Reuters një person i njohur me çështjen.
Shkurtimet, që prekin rreth 15% të fuqisë së saj punëtore, pritet të ndodhin që javën e ardhshme, tha personi.
Aksionet e Verizon u rritën rreth 1.4% pas lajmit. Ato kanë ngecur kryesisht gjatë tre viteve të fundit, me një rritje prej 8% në krahasim me rritjen gati 70% të S&P 500.
Një zëdhënës i Verizon nuk pranoi të komentojë.
Shkurtimet, të cilat vijnë pas emërimit të ish-shefit të PayPal, Dan Schulman, si shef ekzekutiv në fillim të tetorit, synojnë radhët e menaxhimit jo-sindikal dhe pritet të prekin më shumë se 20% të asaj fuqie punëtore, tha një burim.
Verizon po lufton me konkurrencën në rritje ndërsa rritja e abonentëve ngadalësohet dhe konsumatorët e kujdesshëm nuk janë të gatshëm të blejnë plane wireless premium. Ajo është përballur me presion në rritje nga rivalët AT&T dhe T-Mobile US ndërsa tregu ëireless i SHBA-së maturohet, shkruan Reuters.
Schulman tha muajin e kaluar se Verizon e kupton se ka nevojë për ndryshime agresive duke përfshirë “transformimin e kostos, ristrukturimin thelbësor të bazës sonë të shpenzimeve”.
“Ne do jemi një biznes më i thjeshtë, më i vogël dhe më i fortë,” shtoi ai.
Schulman, një anëtar i bordit të Verizon për shtatë vjet, ka thënë se nuk dëshiron të rrisë çmimet dhe kërkon të jetë më i përqendruar te klienti.
“Rritja jonë financiare është mbështetur shumë tek rritjet e çmimeve, një qasje strategjike që mbështetet shumë te çmimi pa rritje të abonentëve nuk është një strategji e qëndrueshme,” tha ai muajin e kaluar.
Verizon kishte rreth 100,000 punonjës në SHBA në fund të vitit 2024, pasi shkurtoi pothuajse 20,000 gjatë tre viteve.