Vendosni fjalën kyçe....

Projektbuxheti 2026 / Rama: Për herë të parë kemi parashikuar buxhet për rimbursimin e barnave kundër kancerit


Në një dëgjesë me banorët e Njësisë 5 në Tiranë, kryeministri Edi Rama deklaroi se për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar është parashikuar një fond i posaçëm në buxhetin e vitit 2026 për rimbursimin e barnave kundër kancerit.

Rama e cilësoi këtë si një hap të rëndësishëm në mbështetje të pacientëve që vuajnë nga sëmundjet onkologjike dhe familjeve të tyre, duke theksuar se nevoja për këto barna është gjithnjë e më e madhe.

“Jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën, kanceri ka filluar të bëhet si grip; rastet po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Realisht nuk ka javë që unë mos të marr një mesazh nga dikush që papritur në shtëpi i është shfaqur në trupin e një të afërmi kanceri,” tha Rama.

Kreu i qeverisë iu referua edhe situatës në spitalin onkologjik dhe kritikoi përpjekjet për ta politizuar këtë çështje, duke theksuar se qeveria është e vendosur të ndërmarrë masa konkrete.

“Sot është koha kur nuk mundet më të shtyjmë për shkak të vështirësive përkatëse, problemit të barnave, të mbulimit me barna të rimbursueshme të nevojës së pacientëve që kanë kancer, sepse janë barna që kushtojnë,” u shpreh Rama.

Ai shtoi se përvoja personale e ka bërë ta kuptojë nga afër peshën që kjo sëmundje ka për çdo familje dhe se shteti duhet të garantojë mbështetje të qëndrueshme.

“Për herë të parë, po nëse fillon për herë të parë, do të vazhdojë çdo vit, ne kemi përcaktuar një buxhet të veçantë për të mbuluar barnat për kancerin për njerëzit tanë,” theksoi kryeministri, duke e cilësuar këtë vendim si një moment të rëndësishëm për sistemin shëndetësor publik.