
Opozita do kërkojë dorëheqjen e ministrit të Mbrojtes Vëngu dhe të ministres së Brendshme Koçiu.
Në një konferencë shtypi për mediat, kreu i PD-së Berisha tha se atentati i djeshëm në aeroportin e Rinasit është një ngjarje tejet e rëndë që tregon se krimi komandon vendin.
Ai tha se rendi në Shqipëri ka rënë dhe se ministrja e Brendshme ka treguar se është krejt e paaftë për luftën ndaj krimit.
“Sigurisht që, opozita do kërkojë, por dorëheqjen Pirro Vengut ia ka kërkuar edhe vetë Edi Rama.
Por Pirro Vengu nuk ia fishkëllon Edi Ramës, nuk e pyesin aty më. Do kërkojmë edhe dorëheqjen e menjëhershme të kësaj ministreshës, e cila është me probleme madhore dhe ne do kërkojmë largimin e saj. Natyrisht nuk kam prova se kjo është e përfshirë në skenarin e ekzekutimit të Danit në vendin më të sigurt, se aty janë profesionistë të tjerë që hyjnë në ato organizime, por mënyra se si reagon kjo dhe si sillet kjo, e bën përgjegjëse për të gjitha këto dështime që ndodhin. Ekzekutimi publik i djeshëm i Gilmando Danit, eksponent kryesor i organizatës kriminale të Emiljano Shullazit, dhe plagosja e rëndë e Muçi Shaljanit apo Sheqerit, në pamje të parë shofer i drejtorit të shërbimeve inteligjente të Policisë së Shtetit dhe inspektor policie, por në fakt një bos, edhe ky bashkë me vëllanë e vet i krimit të organizuar dhe drogës, është një ngjarje e cila u patronua kryekëput nga shteti për llogari të bandave më të afërta me qeverinë se sa banda e Shullazit. Vendi i ekzekutimit publik të tyre, në protokollet e sigurisë publike është vendi më i ruajtur se çdo vend tjetër.” – tha Berisha
Kryedemokrati tha se atentatorët u larguan qetësisht pa asnjë lloj përpjekje nga policia për t’i ndaluar edhe pse krimi i rëndë ndodhi në një nga vendet më të sigurta si aeroporti.
“Është gjithsej 100 metër nga rajoni i policisë së Rinasit, është pak metra nga dalja e sallonit të VIP-ave. Pra, atentatorët apo vrasësit, pasi shkrehën breshëri të shumta mbi makinën që e prisnin të sigurtë, dhe i kishin zënë pritë pikërisht aty që nuk mund të zije pritë kurrë pa lejen e shtetit, pas ekzekutimit u larguan të qetë dhe përshkruan pa asnjë lloj telashi apo andralle të gjithë rrugën Rinas-Fushë Krujë, të gjithë rrugën Fushë Krujë pothuaj Krujë. Fshati Halil është pranë Krujës, ngjitur me kalanë e Zgërdheshit. Dhe ata shkuan në Zgërdhesh dhe asnjë lloj përpjekje nuk u bë nga narkopolicia për të ndaluar vrasësit e Gilmando Danit dhe ata që plagosën rëndë Mustafa Shaljanin apo Sheqerin.
Një qytetar digjital shkruan se shpreh çudinë pse opozita flet për një shofer apo agjent të thjeshtë policie pasi e vërteta është krejt ndryshe me Sheqerin. Vëllai i tij shkruan qytetari, është 100 herë më i pasur se Shullazi. Të tërë këta sipas tij janë marrë me drogë, janë me PS dhe blejnë vota. I plagosuri ka bërë fushatën e 11 majit”, tha Berisha.