Vendosni fjalën kyçe....

Balluku s’u paraqit në Kuvend, Bardhi: Të dorëhiqet, s’mund të fshihet pafundësisht


Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi kërkon dorëheqjen e zv.kryeminstres Belinda Balluku. Ai shkruan se të gjithë ministrat raportuan sot para deputetëve me përjashtim të numrit dy të qeverisë.

Bardhi shkruan se Balluku nuk mund të qëndrojë më në qeveri edhe pse kryeministri Rama nuk e shkarkon dot.

Sot të gjithë ministrat, në ushtrim të përgjegjësisë së tyre sipas nenit 80 të Kushtetutës dhe nenit 80, pika 1 të Rregullores së Kuvendit, ishin prezent në mbledhjet e Komisioneve Parlamentare që mbulojnë fushën e tyre të përgjegjësisë.

E vetmja që u fsheh ishte E PANDEHURA nga SPAK Belinda Balluku! E pandehura Balluku nuk mund të sillet sikur asgjë s’ka ndodhur, vetëm për faktin se ajo e di që Edi Rama është peng i korrupsionit të tij dhe nuk mund ta shkarkojë. E pandehura Balluku duhet të largohet menjëherë nga detyra sepse nuk mund të fshihet pafundësisht nga Kuvendi.

Ajo nuk mund të fshihet as pas frikës që ka kapur “Palloshin e gjatë”, të cilin e ka marrë peng! Llogaridhënia është baza e qeverisjes demokratike. Çdo aferë korruptive është taksë e fshehur që i vihet qytetarit shqiptar. Është pengesë për zhvillimin e vendit. Shkon kundër mirëqenies. Është një hap më shumë drejt largimit të të rinjve nga Shqipëria.