
Një debat i ashpër është zhvilluar sot në Komisionin e Punëve të Brendshme dhe të Mbrojtjes, ku deputeti i Partisë Demokratike dhe nënkryetar i komisionit, Klevis Balliu, akuzoi ministren e Brendshme, Albana Koçiu, për situatën e rëndë të rendit dhe sigurisë publike në vend.
“Krimi i organizuar sot kontrollon çdo cep të vendit,” deklaroi Balliu, duke theksuar se ndërkohë që “të gjitha raportet ndërkombëtare flasin për Shqipërinë si nyje të trafikut të kokainës, policia e shtetit nuk kap asnjë gram.”
Sipas tij, kjo është prova më e qartë se strukturat e rendit “janë nën kontroll të kartelëve dhe jo në luftë me ta”.
Ai iu referua raportit të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), duke theksuar se “korrupsioni dhe krimi i organizuar e kanë bërë Shqipërinë të cenueshme ndaj pastrimit të parave.”
“Ju nuk ktheni përgjigje për këtë, sepse s’mund të flisni për një sistem që e keni ndërtuar vetë,” u shpreh Balliu, duke akuzuar ministren Koçiu për heshtje dhe për “mbrojtje politike të grupeve kriminale.”
Deputeti demokrat solli në vëmendje edhe raportin e fundit të OSBE-ODIHR, ku përmendet për herë të parë ndërhyrja e krimit të organizuar në proceset zgjedhore.
“Pamë me sytë tanë se si në Vorë policia nuk guxonte të afrohej, ndërsa banda e Xhabaftëve ushtronte presion mbi qendrat e votimit,” tha Balliu, duke shtuar se ky është “shembulli më i qartë i kapjes së shtetit.”
Ai nuk kurseu as drejtuesit e policisë, duke përmendur konkretisht Ilir Prodën, për të cilin tha se “është në shërbim të krimit dhe jo në luftë me të.”
Sipas Balliut, raportet ndërkombëtare konfirmojnë rënien e sigurisë publike në Shqipëri.
“Dy policë me të njëjtën gradë, në të njëjtën rrugë — njëri me skaf 200 mijë euro, tjetri mezi paguan qiranë. Ky është imazhi real i një sistemi të kalbur nga korrupsioni,” tha ai.
Duke iu referuar Indeksit Global të Krimit të Organizuar 2025, Balliu theksoi se “Shqipëria ka shënuar rritje të ndjeshme të ndikimit të grupeve kriminale dhe të nivelit të kriminalitetit në rajon.”
“Në portin e Durrësit nuk kapet prej vitesh asnjë gram kokainë. Janë autoritetet e vendeve partnere që kapin tonelata të tëra që dalin nga portet tona,” vijoi deputeti demokrat.
Balliu ngriti gjithashtu çështjen e ndërtimit të kullave në Tiranë dhe në qytete të tjera, duke e lidhur atë me pastrimin e parave.
“Vetëm 22% e financimit të tyre vjen nga bankat. Pjesa tjetër është para e zezë që po pastron sistemin financiar. Banka e Shqipërisë bleu 800 milionë euro për të frenuar rënien e monedhës europiane, kjo tregon se paraja e pistë po mbyt ekonominë, ndërsa 20% e shqiptarëve jetojnë në varfëri ekstreme dhe 41% janë në përjashtim social,” tha ai.
Në përfundim të debatit, Balliu lëshoi një akuzë të fortë politike.
“Sot, bandat nuk fshihen më, ato kanë përfaqësues në Parlament dhe në çdo hallkë të shtetit. Kjo është fytyra e pushtetit që ka zëvendësuar shtetin me bandat dhe rendin me frikën,” përfundoi nënkryetari i Komisionit të Punëve të Brendshme dhe të Mbrojtjes.