Vendosni fjalën kyçe....

SPAK thërret për herë të parë Berishën për 21 janarin, pritet të pyetet të premten në orën 10:00


Pas gati 16 vitesh nga ngjarjet tragjike të 21 janarit 2011, ish-kryeministri Sali Berisha do të përballet për herë të parë me Prokurorinë e Posaçme (SPAK).

Burime bëjnë me dije se Berisha është thirrur të paraqitet ditën e premte, në orën 10:00, përpara prokurorit të çështjes, Alfred Shehu, për t’u pyetur si person që ka dijeni mbi vrasjen e katër protestuesve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ngjarje që ndodhi përballë Kryeministrisë.

SPAK i ka dërguar fletëthirrjen Berishës në tre adresa – në banesën e tij në rrugën “Mustafa Matohiti”, në Kuvendin e Shqipërisë dhe në selinë e Partisë Demokratike.

Kjo është thirrja e dytë që Prokuroria e Posaçme firmos ndaj ish-kryeministrit, pasi e para, e firmosur më 3 nëntor, ishte kthyer mbrapsht pa u hapur.

Për këtë arsye, më 7 nëntor, u lëshua një fletëthirrje e re për t’u siguruar që ajo t’i dorëzohej zyrtarisht.

Në dokumentin zyrtar thuhet se thirrja bëhet “me qëllim pyetjen e tij me cilësinë e personit që tregon rrethana të dobishme për hetimin, në lidhje me procedimin penal nr. 138 të vitit 2024, konkretisht për ngjarjen e datës 21 janar 2011”.

Ky zhvillim vjen pas marrjes në pyetje nga SPAK të ish-ministrit të Brendshëm Lulzim Basha, më 30 tetor, i cili qëndroi rreth një orë në Prokurorinë e Posaçme. Basha nuk dha detaje për mediat, duke u mjaftuar të thoshte se “çështja është në hetim dhe do të ruaj sekretin hetimor”.

Ndërkohë, Berisha pak ditë më parë ka mbrojtur publikisht veprimet e Gardës së Republikës në ngjarjen e 21 janarit, duke deklaruar se “Garda veproi në përputhje me ligjin”.

Me thirrjen e Berishës, SPAK pritet të hedhë dritë mbi përgjegjësitë politike dhe shtetërore të një prej ngjarjeve më të rënda të tranzicionit shqiptar, ku humbën jetën katër protestues: Hekuran Deda, Aleks Nikaj, Ziver Veizi dhe Faik Myrtaj.