Vendosni fjalën kyçe....

Gonzato: Për të mbyllur negociatat në vitin 2027 nevojitet fokus dhe vendosmëri


Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, mori pjesë në edicionin e 10-të të Shkollës së Integrimit Evropian, ku foli për rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe rëndësinë e përfshirjes së qytetarëve në këtë proces.

Në fjalën e tij, Gonzato theksoi se integrimi evropian është një projekt kombëtar që kërkon angazhim të përbashkët.

“Secili prej jush ka mundësi të kontribuojë në integrimin në BE. Shqipëria ka nevojë për këtë kontribut, sepse siç thuhet në raportin e anëtarësimit integrimi është një projekt që duhet të ketë autorësi jo vetëm të qeverisë, por edhe të opozitës, qytetarëve dhe komuniteteve lokale,” deklaroi ambasadori.

Ai shtoi se procesi i integrimit duhet të mbështetet nga legjitimiteti demokratik dhe konsensusi politik e shoqëror, duke vlerësuar energjinë dhe angazhimin e brezit të ri.

 

 

“Duke parë një grup kaq të larmishëm e të ri, besoj se këto fjalë gjejnë jehonë,” u shpreh Gonzato.

Ambasadori vuri në dukje se Shqipëria po hyn në një fazë thelbësore të anëtarësimit, ndërsa po vijon me çeljen e të gjithë grupkapitujve të negociatave.

“Ky është momenti kur Shqipëria do të vihet në sprovë për të zbatuar reformat në përputhje me ligjin evropian. Për të mbyllur negociatat në vitin 2027, nevojiten fokus, qasje gjithëpërfshirëse dhe vendosmëri,” theksoi Gonzato.

Në përfundim, ai nënvizoi: “Anëtarët e BE presin që Shqipëria të arrijë një zbatim konsistent dhe në kohë të reformave që sjellin përfitime konkrete për qytetarët në jetën e përditshme,”.