Vendosni fjalën kyçe....

Sarkozy lirohet nga burgu në pritje të apelimit të dënimit për financimet nga Libia


Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy është liruar nga burgu dhe është kthyer në shtëpi të hënën, pasi një gjykatë në Paris vendosi që ai mund të mbetet i lirë në pritje të apelimit të dënimit për komplot në mbledhjen e fondeve elektorale nga Libia.

Sarkozy, i cili shërbeu si president i Francës nga viti 2007 deri në 2012, u dënua në shtator me pesë vjet burg për “komplot kriminal” lidhur me përpjekjet e bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë për të siguruar financime nga udhëheqësi i ndjerë libian Muammar Gaddafi për fushatën e tij presidenciale të vitit 2007. Ai u dërgua në burg më 21 tetor, vetëm disa javë pas vendimit të gjykatës.

Gjykata vendosi të hënën se Sarkozy nuk përbën rrezik arratisjeje dhe se mund të qëndrojë i lirë derisa të zhvillohet gjyqi i apelimit. Vendimi bazohej në disa kritere ligjore, por gjykata theksoi se lirimi i tij nuk nënkupton asnjë parashikim mbi rezultatin e apelimit.

Vive la liberté” (Rroftë liria), shkroi në platformën X djali më i vogël i Sarkozy-t, Louis, duke postuar një fotografi të fëmijërisë me të atin, menjëherë pas lajmit për lirimin, përcjell Reuters.

Dënimi pesëvjeçar i ish-presidentit u ekzekutua menjëherë për shkak të asaj që gjyqtarët e përshkruan si “ashpërsia e jashtëzakonshme e krimit”.

Sarkozy ishte dërguar në burgun “La Santé” në Paris, një rënie e thellë për një ish-kryetar shteti.

Megjithatë, prokuroria publike rekomandoi që ai të lirohej në pritje të apelimit, dhe gjykata ra dakord me këtë kërkesë, duke vendosur masa mbikëqyrjeje gjyqësore.

Sarkozy-t i ndalohet të largohet nga Franca dhe të ketë kontakte me zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë.

Në një deklaratë përmes video-lidhjes nga burgu, Sarkozy mohoi sërish çdo fajësi dhe e përshkroi qëndrimin në burg si tepër të vështirë.

Jam francez, zotëri. E dua vendin tim. Po luftoj që e vërteta të dalë në pah. Do t’i bindem çdo kërkese të drejtësisë, si gjithmonë,” tha ai para gjykatës.

Duke folur për përvojën në burg, shtoi: “Është e vështirë. Vërtet e vështirë, ashtu siç është për çdo të burgosur. Do të thosha madje se është rraskapitëse.