Vendosni fjalën kyçe....

“ASNJË deputet NUK MERR PJESË në mbledhjet e Komisioneve Parlamentare”- Bardhi mesazh deputetëve demokratë


Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka nisur sot bojkotin e përkohshëm të punimeve në Kuvend, duke mos marrë pjesë në mbledhjet e Komisioneve Parlamentare.

Vendimi është marrë një ditë më parë dhe u komunikua nga kreu i grupit, Gazment Bardhi, në një mesazh drejtuar deputetëve demokratë, raporton BW.

Bardhi kërkoi që asnjë deputet të mos marrë pjesë në komisione “derisa grupi parlamentar të mblidhet dhe të marrë një vendim final”, duke e cilësuar këtë si një reagim të përkohshëm ndaj situatës së krijuar në seancën e fundit parlamentare.

“Nesër, e hënë, datë 10.11.2025, në mbledhjen e Grupit Parlamentar, ora 12:30, NUK duhet të mungojë askush!
Nesër, e hënë, derisa të jetë mbledhur dhe të ketë vendosur grupi parlamentar, ASNJË deputet NUK MERR PJESË në mbledhjet e Komisioneve Parlamentare. Ky do të jetë një reagim i përkohëshëm i grupit parlamentar nisur nga situata e krijuar në seancën e fundit, derisa Grupi Parlamentar të ketë diskutuar dhe marrë një vendim final. Pra, nesër NUK shkojmë në mbledhjet e Komisioneve Parlamentare”, thuhet në mesazhin e Bardhit.