Vendosni fjalën kyçe....

Ahmetaj dhe partnerja e tij padisin Shqipërinë në Strasburg, pretendojnë shkelje të rënda gjatë kontrollit në banesë


 

Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj dhe bashkëjetuesja e tij, Erjola Hoxha, kanë paditur shtetin shqiptar në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut, duke pretenduar shkelje të rënda kushtetuese gjatë hetimit ndaj tyre.

Në kërkesën drejtuar Strasburgut, ata argumentojnë se kontrolli në banesën e përbashkët dhe në celularin e Hoxhës, i kryer më 9 mars 2023 me urdhër të Gjykatës së Posaçme, ishte i paligjshëm, pasi në atë kohë Ahmetaj gëzonte imunitetin e deputetit.

Sipas tyre, çdo kontroll duhej të autorizohej paraprakisht nga Kuvendi, në bazë të nenit 73(2) të Kushtetutës.

Në dokumentin e paraqitur, kërkuesit theksojnë se “kontrolli i banesës së tyre ishte i paligjshëm, pasi kërkuesi i parë ishte anëtar i Parlamentit në kohën përkatëse, dhe banesa e tij nuk mund të kontrollohej pa autorizim të mëparshëm të Kuvendit”.

Ata gjithashtu pretendojnë se nuk kishin mundësi të ndjekin një procedurë efektive ligjore për të kundërshtuar veprimin, duke shkelur nenet 8 dhe 13 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjykata e Strasburgut i ka kërkuar tashmë qeverisë shqiptare një sërë sqarimesh, mes tyre nëse kontrolli i banesës është kryer në përputhje me Kushtetutën, nëse janë respektuar të drejtat për mbrojtjen e jetës private dhe nëse Ahmetaj ka pasur mundësi reale për të përdorur mjetet ligjore brenda sistemit kombëtar.

Arben Ahmetaj ndodhet në arrati prej gati dy vitesh dhe po hetohet nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, në lidhje me aferën e inceneratorit të Tiranës. Ndërkohë, ai po gjykohet edhe në Gjykatën e Posaçme për çështjen “Buka”.