Vendosni fjalën kyçe....

Tërmeti me magnitudë 6.7 godet Japoninë verilindore, shpallet alarm për tsunami



Një tërmet i fuqishëm me nivel 4 sipas shkallës Shindo ka goditur verilindjen e Japonisë, duke shkaktuar lëkundje të ndjeshme dhe një alarm për tsunami me valë deri në një metër, përcjell Euronews.

Sipas Agjencisë Meteorologjike të Japonisë, tërmeti ndodhi rreth orës 17:00 me kohën lokale, 10 kilometra nën sipërfaqen e detit pranë prefekturës Iwate. Tërmeti fillestar kishte një magnitudë paraprake prej 6.7, ndërsa shkundjet pasuese vazhduan në rajon.

Nuk ka raportime të menjëhershme për të lënduar ose dëme materiale, dhe dy termocentralet bërthamore në zonë nuk kanë shfaqur probleme. Agjencia lëshoi një paralajmërim për tsunami me valë deri në 1 metër përgjatë bregdetit verior.

Publikuesi shtetëror NHK këshilloi banorët të shmangin zonat bregdetare për shkak të rrezikut nga tsunami dhe paralajmëroi se lëkundje të tjera mund të ndodhin. Një tsunami prej 10 centimetra u regjistrua në qytetin Ofunato, Ominato Port, Miyako dhe Kamaishi, ndërsa në Kuji valët arritën deri në 20 centimetra.

Shkak për vonesa të përkohshme pati edhe për trenat e shpejtë, ndërsa disa zona përjetuan ndërprerje të energjisë elektrike.

Japonia, e vendosur mbi “Unazën e Zjarrit” të Paqësorit, është një nga vendet më të prekura nga tërmetet në botë. Rajoni kishte pësuar një tërmet dhe tsunami vdekjeprurës në mars 2011.