Vendosni fjalën kyçe....

Prokuroria çon në gjyq kompaninë “Buzi Store” për fshehje të ardhurash prej 3.7 milionë eurosh



Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim subjektin tregtar “Buzi Store”, i akuzuar për veprën penale “Fshehje e të ardhurave”, kryer në bashkëpunim me ekonomistin e kompanisë.

Hetimet, të zhvilluara gjatë vitit 2024 në kuadër të procedimit penal nr. 8744, zbuluan se kompania kishte shmangur rreth 3.7 milionë euro të ardhura duke i fshehur nga autoritetet tatimore.

Sipas Prokurorisë, hetimi u zhvillua në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor, përmes metodave speciale të hetimit, duke çuar në zbulimin e një skeme të evazionit fiskal të shkallës së gjerë.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në tetë adresa të lidhura me subjektin “Buzi Store” dhe me shoqërinë e fiskalizimit, u sekuestruan kompjuterë, telefona, tableta dhe rreth 8 milionë lekë, të pa justifikuara me dokumentacion ligjor.

Hetimet zbuluan gjithashtu se kompania përdorte një sistem kompjuterik të paautorizuar për lëshimin e faturave përmes një platforme online të palicencuar, “store.dyqanimen.com”. Përmes kësaj platforme, lëshoheshin fatura të falsifikuara ose me vlera të ndryshme nga ato reale, duke shmangur fiskalizimin dhe pagesën e detyrimeve tatimore.

Prokuroria ka depozituar tashmë materialet në gjykatë, ndërsa pritet të zhvillohet seanca e parë gjyqësore ndaj përfaqësuesve të “Buzi Store”.