
Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka akuzuar qeverinë për korrupsion në projektin e Tunelit të Llogarasë, duke deklaruar se “vjedhja ka shkuar në 75 milionë euro” dhe se kjo, sipas saj, nuk ka ndodhur pa dijeninë e kryeministrit Edi Rama.
“Së pari të analizojmë se çfarë ka ndodhur, dhe ky është një skandal. Mund të vjedhësh një popull, por të vjedhësh më të varfërit në Evropë… Kemi të bëjmë me një aferë të pastër korruptive prej mbi 50 milionë eurosh nga anulimi i tenderëve të parë dhe të dytë nga Balluku,” u shpreh Xhixho.
Ajo shtoi se në projektin fillestar të tunelit ishin parashikuar dy ura, të cilat në versionin përfundimtar janë hequr, ndërsa kostoja është rritur me 25 milionë euro shtesë.
“Vjedhja shkon në 75 milionë euro. Padyshim në këtë vendimmarrje, që dardhat dhe mollët nuk u hëngrën pas krahëve të Edi Ramës. Këtu kemi një sistem të korruptuar, një bashkëpunim mes Ramës dhe Ballukut,” deklaroi deputetja e PL-së.
Xhixho theksoi gjithashtu se zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, sipas saj përgjegjëse kryesore për aferën e dyshuar, duhet të ishte shkarkuar.
“Jemi në kushtet kur kemi një aktakuzë — do duhej të kishte dhënë dorëheqjen ose të ishte shkarkuar. Por znj. Balluku vijon punën, ndërsa Meta mbahet në izolim prej një viti, i arrestuar në mënyrë kriminale. Nuk ka asnjë fakt penal ndaj tij,” shtoi ajo.