Vendosni fjalën kyçe....

Superliga/ Tirana në krizë të thellë, Vora triumfon 0-2 në “Selman Stërmasi”


Tirana po përjeton një nga sezonet më të errëta në historinë e saj futbollistike.

Bardheblutë, kampionët më të titulluar në Shqipëri me 26 trofe, u mposhtën sërish në shtëpi, këtë herë nga debutuesit e Vorës me rezultatin 0-2, duke zbritur në vendin e fundit të renditjes me vetëm 6 pikë pas 11 javësh.

Nën drejtimin e Ardian Nuhiut, trajneri i tretë për këtë sezon, Tirana regjistroi humbjen e shtatë, ndërsa Vora konfirmoi dominimin ndaj kryeqytetasve, pasi i kishte mposhtur edhe në fazën e parë me rezultatin 3-1.

Golat për miqtë u shënuan nga Patrik Bardhi në minutën e 12-të dhe Irgi Kasalla nga pika e bardhë në minutën e 33-të, pas një penalltie të shkaktuar nga mbrojtësi Lleshi.

 Pavarësisht minutave të mbetura, Tirana nuk arriti të reagojë, ndërsa stadiumi “Selman Stërmasi” u karakterizua nga mungesa e tifozëve, me praninë simbolike të “Fanaticsave”.

Pas kësaj jave, Vora ngjitet në vendin e gjashtë me 14 pikë, ndërsa Tirana mbetet në fundin e tabelës.

Në raundin e ardhshëm, Vora pret Teutën, ndërsa Tirana udhëton drejt Vlorës për t’u përballur me Flamurtarin.

Rezultatet e javës së 11-të:

  • 07 nëntor: Bylis 0-1 Flamurtari
  • 08 nëntor: Tirana 0-2 Vora
  • 08 nëntor (në vijim): Vllaznia – Dinamo
  • 09 nëntor: AF Elbasani – Egnatia
  • 09 nëntor: Teuta – Partizani