
Kompania amerikane e ilaçeve Pfizer ka arritur një marrëveshje prej 10 miliardë dollarësh për të blerë zhvilluesin e barnave kundër obezitetit Metsera, duke përfunduar një garë të ashpër mes gjigantit farmaceutik me bazë në Nju Jork dhe rivalit danez Novo Nordisk.
Metsera pranoi ofertën e përmirësuar të Pfizer-it të premten në mbrëmje, duke përmendur si arsye rreziqet e mundshme antitrust në ofertën e Novo Nordisk, të cilën më parë e kishte cilësuar si më të favorshme.
Novo njoftoi të shtunën se do të largohej nga gara, përcjell Reuters.
Kjo fitore i hap Pfizer-it rrugën për të hyrë në tregun jashtëzakonisht fitimprurës të ilaçeve për humbje peshe, edhe pse produktet e Metsera-s janë ende disa vite larg nga tregu.
Humbja është një goditje për Novo Nordisk, që kërkon të rifitojë terrenin e humbur ndaj rivalit amerikan Eli Lilly.]
Një betejë e ashpër për Metsera
Pfizer dukej se e kishte siguruar marrëveshjen që në shtator, por ndërhyrja e papritur e Novo Nordisk me një ofertë të padëshiruar ndezi garën për një aset shumë të kërkuar në tregun në rritje të ilaçeve për humbje peshe.
Pfizer pranoi të paguajë 86,25 dollarë për aksion, me një premium prej 3,69% ndaj mbylljes së çmimit të aksioneve të premten.
Marrëveshja përfshin 65,60 dollarë në para të gatshme dhe një të drejtë shtesë për pagesë deri në 20,65 dollarë për aksion në varësi të rezultateve të ardhshme.
Novo Nordisk deklaroi se nuk do të rrisë ofertën e saj.
“Pas një procesi konkurrues dhe pas një shqyrtimi të kujdesshëm, Novo Nordisk nuk do të rrisë ofertën për të blerë Metsera-n,” tha kompania daneze.
Sipas një burimi pranë kompanisë, oferta e fundit e pasuksesshme ishte “vlera maksimale” që Novo ishte e gatshme të ofronte dhe kompania mbetet e bindur në fuqinë e portofolit të saj të brendshëm për trajtimin e obezitetit.
Rreziqe ligjore dhe rregullatore
Metsera njoftoi se propozimi i Novo Nordisk paraqiste “rreziqe të papranueshme ligjore dhe rregullatore” në krahasim me marrëveshjen e propozuar me Pfizer, duke përmendur një thirrje nga Komisioni Federal i Tregtisë (FTC) të SHBA-së, që paralajmëroi për shkelje të mundshme të ligjeve antitrust.
Novo tha se beson se struktura e ofertës së saj ishte “në përputhje me ligjet antitrust”.
Në një deklaratë, Pfizer u shpreh se ishte e kënaqur që kishte arritur një marrëveshje të rishikuar me Metsera dhe se pritet ta përmbyllë bashkimin menjëherë pas mbledhjes së aksionarëve të kompanisë më 13 nëntor.
“Një betejë në stilin e ‘Game of Thrones’”
Sipas analistes së Bernstein, Courtney Breen, çmimi prej 10 miliardë dollarësh bazohet në parashikime shumë optimiste për performancën e ardhshme të Metsera-s, duke theksuar se Pfizer do të duhet të arrijë 11 miliardë dollarë të ardhura deri në vitin 2040 për ta justifikuar çmimin.
Megjithëse Metsera aktualisht operon me humbje, bordi i saj rekomandoi që aksionarët të miratojnë ofertën e Pfizer-it. Lufta e ofertave rriti ndjeshëm vlerën e aksioneve të Metsera-s, të cilat u rritën me gati 60% brenda një jave, duke e çuar vlerën e tregut në 8,75 miliardë dollarë.
Ish-drejtori i kërkimeve dhe zhvillimit të Pfizer, John LaMattina, e krahasoi këtë betejë me blerjen armiqësore të Warner-Lambert në vitin 2000, kur Pfizer pagoi 90 miliardë dollarë për të siguruar kontrollin mbi ilaçin kundër kolesterolit Lipitor.
“Edhe pse kjo është një marrëveshje më e vogël, Pfizer duhet të besojë se linja e produkteve të Metsera-s është thelbësore për të ardhmen e saj,” tha ai.
Një nga aksionarët kryesorë të Metsera-s, Peter Kolchinsky nga RA Capital, e quajti këtë garë një “lojë të stilit Game of Thrones”, duke theksuar luftën e ashpër për kontrollin e kompanisë.
Sipas analistit të Leerink Partners, David Risinger, dy produktet kryesore eksperimentale të Metsera-s, MET-097i (një injektim GLP-1) dhe MET-233i (imitues i hormonit të pankreasit amylin), pritet të arrijnë 5 miliardë dollarë në shitje maksimale të kombinuara.