Vendosni fjalën kyçe....

Meta mbështet takimin Trump–Orbán: Shembull frymëzimi për mbrojtjen e familjes dhe vlerave kombëtare


Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar në rrjetet sociale pas takimit mes presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministrit hungarez Viktor Orbán, duke e cilësuar atë një shembull frymëzimi për mbrojtjen e identitetit kombëtar dhe vlerave tradicionale.

Në një postim në Facebook, Meta shprehu mbështetje të plotë për qëndrimin e Trump dhe vlerësoi rolin e Orbán si një lider që mbron sovranitetin dhe familjen tradicionale.

“E vlerësoj dhe e mbështes plotësisht thirrjen e Presidentit të SHBA, Donald Trump, për të treguar respekt ndaj liderit të Hungarisë, Viktor Orbán. Një zë i fortë në mbrojtje të sovranitetit, identitetit kombëtar dhe vlerave tradicionale shoqërore, Orbán përfaqëson një shembull frymëzimi për vendin e tij, për kontinentin dhe për popullin tonë,” shkroi Meta.

Kreu i Partisë së Lirisë vuri në dukje ligjin e miratuar në parlamentin hungarez, që njeh vetëm dy gjini dhe rolin e prindërve, duke e cilësuar si një model që duhet ndjekur edhe nga Shqipëria.

Sipas tij, ligji i fundit i qeverisë Rama përbën një “sulm të hapur ndaj familjes dhe kombit.”

“Ashtu si ai, edhe ne duhet të jemi të vendosur për të mbrojtur themelet e shoqërisë sonë. Ligji anti-familje i votuar nga Rama dhe kukullat e tij në Kuvend përbën një sulm të hapur ndaj familjes dhe kombit tonë,” theksoi Meta.

Në përfundim, ai u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë të bashkuar në mbrojtje të vlerave tradicionale dhe kombëtare.

“Më shumë se kurrë, është detyra jonë të qëndrojmë të bashkuar në mbrojtje të vlerave tona të përbashkëta dhe të shenjta, të familjes dhe kombit, kundër një ideologjie që synon t’i shkatërrojë ato,” përfundoi Meta.