
Ish-kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka komentuar çështjen gjyqësore ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila po hetohet për një aferë të dyshuar prej 50 milionë eurosh.
E ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Kryemadhi u shpreh se Balluku ka ndjekur me përpikëri urdhrat e kryeministrit Edi Rama, duke nënvizuar se ndryshimet në tenderin në fjalë janë bërë me urdhër “nga lart”.
“Nga mesazhet që dolën, shihet qartë që tenderi ishte bërë në rregull, por është ndryshuar me urdhër nga lart dhe është zbatuar sipas urdhrit të kryeministrit. Zonja Balluku i ka qëndruar besnike Ramës në çdo situatë. Rama në kal, ajo në kal, Rama në tokë, ajo në tokë,” tha Kryemadhi.
Ajo shtoi se mënyra se si është ndërhyrë për anulimin e tenderit tregon ndikimin direkt të kreut të qeverisë.
“Mënyra për ta anuluar tenderin është ndërhyrje që i është kërkuar Ramës. Çdo veprim i saj është bërë me urdhër nga lart,” theksoi Kryemadhi, duke shtuar se kjo është një tjetër dëshmi e lidhjeve politike që qëndrojnë pas aferave korruptive në qeveri.