
Ministrja britanike e Brendshme, Shabana Mahmood, pritet të shpallë së shpejti ndryshime në rregullat e emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar, të frymëzuara nga sistemi danez – një nga më të ashpërit në Evropë, sipas burimeve të The Guardian.
Muajin e kaluar, Mahmood dërgoi zyrtarë të Ministrisë së Brendshme në Danimarkë për të studiuar politikat e saj të kontrollit kufitar dhe të azilit.
Ndër masat që po shqyrtohen janë rregullat më të rrepta për bashkimin familjar dhe kufizimi i qëndrimit të përkohshëm për refugjatët, që janë tipike për sistemin danez.
Sipas BBC, që raportoi e para për planet, Mahmood do t’i bëjë publike ndryshimet më vonë këtë muaj.
Propozimet kanë shkaktuar përçarje në Partinë Laburiste. Disa deputetë nga krahu i majtë i partisë i kanë cilësuar këto masa si “rrugë të rrezikshme”, ndërsa të tjerë kërkojnë që qeveria të shkojë edhe më tej.
Në Danimarkë, vetëm refugjatët që janë përndjekur personalisht nga një regjim i huaj marrin mbrojtje të plotë, ndërsa ata që ikin nga konflikte të përgjithshme lejohen të qëndrojnë vetëm përkohësisht. Për më tepër, qeveria daneze vetë përcakton se cilat vende konsiderohen të sigurta për kthimin e refugjatëve.
Në vitin 2022, qeveria daneze njoftoi rreth 1.200 refugjatë sirianë nga Damasku se lejet e qëndrimit të tyre nuk do të rinovoheshin, pasi ajo e konsideroi rajonin si të sigurt – një vendim që u kritikua ashpër nga OKB dhe Bashkimi Evropian.
Rregulla të rrepta për bashkimin familjar
Zyrtarët britanikë po shohin nga afër edhe modelin danez për bashkim familjar, i cili vendos një sërë kushtesh strikte:
të dy personat duhet të jenë mbi 24 vjeç,
personi që jeton në Danimarkë nuk duhet të ketë përfituar ndihma sociale për tre vjet,
duhet të ofrojë një garanci financiare,
dhe të dy partnerët duhet të kalojnë testin e gjuhës daneze.
Për më tepër, Danimarka nuk lejon bashkimin familjar për personat që jetojnë në zona të quajtura “shoqëri paralele”, ku më shumë se 50% e banorëve janë me origjinë “jo-perëndimore”.
Në vitin 2021, Danimarka miratoi një ligj që e lejon të përpunojë kërkesat për azil jashtë Evropës, çka shkaktoi zemërim nga organizatat e të drejtave të njeriut dhe Komisioni Evropian.
Kritika nga e majta laburiste
Deputeti laburist Clive Lewis kritikoi ashpër planet e qeverisë për ta përshtatur modelin danez në përpjekje për t’i paraprirë partisë së djathtë Reform UK.
“Socialdemokratët danezë kanë ndjekur një qasje tepër të ashpër ndaj emigracionit. Ata kanë përvetësuar shumë nga tezat e ekstremit të djathtë,” tha ai.
“Laburistët duhet të fitojnë votuesit që janë afër Reformës, por jo duke humbur elektoratin progresist.”
Ndërsa Nadia Whittome, deputete laburiste për Nottingham East dhe anëtare e Socialist Campaign Group, tha se politikat e Danimarkës, sidomos ato për “shoqëritë paralele”, janë “pa dyshim raciste”.
“Kjo është një rrugë pa krye – moralisht, politikisht dhe elektoralisht,” u shpreh ajo në një intervistë për BBC Radio 4.
Disa deputetë laburistë nga qendra e partisë i thanë BBC-së në mënyrë konfidenciale se do të kundërshtonin zbatimin e modelit danez në Britani.
Megjithatë, Jo White, që drejton grupin e deputetëve laburistë në zonat e njohura si “red wall” në Midlands dhe në veri të Anglisë, tha se dëshiron që qeveria të shkojë edhe më tej:
“Nëse jo, do të shkojmë në zgjedhje ku Reform do të jetë rivali më i madh në shumicën e zonave tona dhe ne do të shkatërrohemi,” paralajmëroi ajo.
Shabana Mahmood, e cila u emërua ministre e Brendshme në shtator, deklaroi në konferencën e Laburistëve se “kontributi në këtë vend është një kusht”, duke paralajmëruar masa të reja që përfshijnë rritjen e periudhës për marrjen e lejes së qëndrimit të përhershëm nga 5 në 10 vjet për azilkërkuesit.
Organizatat humanitare e kanë akuzuar për “shpifje ndaj emigrantëve”.
Mbi 100 organizata, përfshirë Refugee Action, Save the Children dhe Oxfam, i kanë kërkuar asaj të fokusohet në zgjidhjen e krizave reale të vendit, si strehimi, klima dhe NHS dhe të ndalojë përdorimin e “politikave performuese” që shkaktojnë dëm.