Vendosni fjalën kyçe....

Bisedimet e paqes midis Pakistanit dhe Afganistanit përfundojnë pa zgjidhje


Bisedimet e paqes midis Afganistanit dhe Pakistanit përfunduan në një ngërç të premten, me qeverinë talebane të Afganistanit që fajësoi për ngërçin qasjen “e papërgjegjshme dhe jobashkëpunuese” të Islamabadit.

Përfaqësuesit e dy vendeve fqinje u takuan të enjten në Turqi në një përpjekje për të siguruar një armëpushim për të cilin kishin rënë dakord më 19 tetor, pasi përplasjet kufitare rezultuan në viktima nga të dyja palët.

Zëdhënësi i talebanëve,  Zabihullah Mujahid, fajësoi Pakistanin.

“Gjatë diskutimeve, pala pakistaneze u përpoq t’ia kalonte të gjithë përgjegjësinë për sigurinë e saj qeverisë afgane, ndërkohë që nuk tregoi gatishmëri për të marrë përgjegjësi as për sigurinë e Afganistanit, as për sigurinë e vet”, tha Mujahid, raporton DW.

Por, pavarësisht dështimit të bisedimeve, zëdhënësi tha se armëpushimi “do të qëndrojë”.

Muxhahidi tha se “nuk ka problem” me armëpushimin, ndërsa falënderoi Katarin dhe Turqinë për rolet e tyre ndërmjetësuese.

Çfarë ka thënë Pakistani në lidhje me negociatat?

Në një intervistë me kanalin e pavarur të lajmeve Geo të Pakistanit, Ministri pakistanez i Mbrojtjes Khawaja Asif tha se “ndërkohë që flasim, bisedimet kanë mbaruar”.

Megjithatë, ai tha gjithashtu se armëpushimi do të vazhdojë derisa pala afgane ta shkelë atë.

Asnjëri vend nuk ka ndarë detaje të negociatave në Turqi.

Të enjten, Ministri i Informacionit i Pakistanit, Attaullah Tarar, kishte lënë të kuptohet se negociatat po dështonin, duke thënë se Afganistani “deri më tani” kishte dështuar të përmbushte premtimet e tij për të luftuar terrorizmin.

“Pakistani do të vazhdojë të ushtrojë të gjitha opsionet e nevojshme për të mbrojtur sigurinë e popullit të tij dhe sovranitetin e tij”, tha ai.