
Në Shtetet e Bashkuara po shfaqen shenjat e para të një “shkrirjeje” politike pas 37 ditësh bllokim të qeverisë federale. Edhe pse ende nuk ka një marrëveshje konkrete, në Kongres janë ndërmarrë përpjekjet e para për t’i dhënë fund ngërçit që ka paralizuar institucionet dhe ka lënë pa pagesa mijëra punonjës publikë, përcjell Fox News.
Senatori demokrat Richard Blumenthal u shpreh se “ka disa tregues të një shkrirjeje”, ndërsa senatori republikan Mike Rounds tha se “ekziston një rrugë përpara” dhe shprehu optimizëm se mund të arrihet një zgjidhje brenda javës.
Megjithatë, bisedimet mes republikanëve dhe demokratëve mbeten të vështira. Demokratët kërkojnë garanci për subvencionet shëndetësore dhe zbutjen e kostove të programit “Obamacare”, ndërsa republikanët po propozojnë një projektbuxhet të përkohshëm që do të zgjaste deri në fund të janarit, për të fituar kohë në negociata.
Senatori Markwayne Mullin pranoi se negociatat janë ndërlikuar pas kërkesave të reja të demokratëve që, sipas tij, “kërkojnë t’i heqin kompetenca presidentit Trump”. Nga ana tjetër, udhëheqësi i shumicës në Senat, John Thune, pranoi se “afati fillestar për nëntor nuk ka më kuptim” dhe se duhet një zgjatje më e gjatë e buxhetit.
Edhe pse disa republikanë e cilësojnë këtë si një hap të vogël përpara, lideri i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, u shpreh skeptik: “Jam më pak optimist sot se dje. Demokratët po tërhiqen sërish.”
Ndërkohë, tensionet politike po shoqërohen me shqetësime në terren. Kontrollorët ajrorë po punojnë pa pagesë, ndërsa agjencitë federale paralajmërojnë pasoja serioze për udhëtimet ajrore dhe ndihmën ushqimore për familjet në nevojë. Senatori republikan Josh Hawley paralajmëroi se “mjafton një incident i vogël që të kthehet në tragjedi”.
Pavarësisht përpjekjeve, shumë ligjvënës besojnë se fundi i bllokimit nuk do të vijë menjëherë. Senatori John Kennedy parashikoi se “në rastin më të mirë, qeveria do të rihapet pas një deri në dy javësh”.
Edhe pse marrëveshja mbetet e largët, për herë të parë që prej 1 tetorit Kongresi duket se po lëviz. Siç do të thoshte Winston Churchill, “kjo nuk është fundi, as fillimi i fundit, por ndoshta fundi i fillimit.”