Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata Supreme e SHBA-së do vendosë mbi rastin që sfidon ligjshmërinë e martesave të të njëjtit seks


Në foto: Kërkuesja e rastit Kim Davies

Gjykata Supreme e SHBA-së po shqyrton të premten nëse do shqyrtojë një çështje që mund të sfidojë ligjshmërinë e martesave të të njëjtit seks në gjithë vendin.

Vetëm disa orë pasi vendosi se administrata e Donald Trump mund t’u ndalojë personave transgjinorë dhe jo-binarë përzgjedhjen e shenjuesve të gjinisë në pasaportë që përputhen me identitetin e tyre gjinor, gjyqtarët po mbajnë konferencën e parë mbi çështjen “Davis kundër Ermold”. Edhe pse diskutimet e tyre zakonisht mbahen private, gjykata mund të shpallë nëse do e marrë çështjen në shqyrtim që të hënën.

Çështja lidhet me Kim Davis, ish-zyrtare e një qarku në Kentaki, e cila në vitin 2015 u bë një figurë e njohur për qëndrimin e saj fetar kundër martesave të të njëjtit seks, pasi Gjykata e Lartë ligjëroi praktikën në çështjen “Obergefell kundër Hodges”. Davis refuzoi vazhdimisht të lëshonte licenca martese për çiftet e të njëjtit seks dhe madje u burgos për pak kohë për mosbindje ndaj gjykatës.

Dy burra, David Ermold dhe David Moore, e paditën Davis-in pasi ajo refuzoi t’u jepte licencë martese. Pas gjyqit, një juri i dha çiftit 100,000 dollarë dëmshpërblim. Davis e apeloi vendimin, duke argumentuar se sjellja e saj mbrohej nga neni i parë i Kushtetutës, i cili garanton lirinë e ushtrimit të fesë.

Megjithatë, Gjykata e Apelit e SHBA-së për Qarkun e Gjashtë e hodhi poshtë këtë argument në mars të këtij viti. Gjyqtarët vendosën se, përderisa Davis po vepronte në cilësinë e saj si zyrtare shtetërore, ajo nuk kishte të drejtë të mbrohej nga neni i parë.

“Kur ushtrimi i detyrave të një zyrtari sipas ndërgjegjes së tij cenon të drejtat kushtetuese të qytetarëve, Kushtetuta duhet të prevalojë,” shkruan gjyqtarët.

Tani Davis kërkon që Gjykata Supreme me shumicë konservatore 6 me 3, ta rrëzojë atë vendim. Pjesa më e madhe e kërkesës së saj përqendrohet në pretendimin se ajo duhet të ketë një formë mbrojtjeje nga përgjegjësia ligjore.

“Çdo gjë më pak se kjo do e bënte premtimin e nenit të parë të pavlerë për ata që i shërbejnë publikut dhe paditen për ushtrimin e besimeve të tyre fetare gjatë kësaj kohe,” thuhej në deklaratën e saj.

Kërkesa gjithashtu i bën thirrje Gjykatës së Lartë që të rrëzojë plotësisht çështjen Obergefell. Avokatët e Davis e lavdërojnë vendimin e gjykatës të vitit 2022 për të rrëzuar “Roe kundër ëade” dhe pretendojnë se Obergefell “nuk është i mbështetur në historinë ose traditat e kombit” – një përmbledhje e arsyetimit që gjykata përdori për të shfuqizuar Roe dhe për të hequr të drejtën federale për abort. Davis përfaqësohet nga Liberty Counsel, një organizatë që më parë ka përfaqësuar aktivistë kundër abortit.

Ndërsa të paktën një grup avokues planifikon të protestojë para gjykatës të premten, disa ekspertë ligjorë paralajmërojnë se rasti mbetet një “mundësi e vogël” ligjore. Meqë shumica e argumenteve të Davis lidhen më shumë me përgjegjësinë e saj personale sesa me debatin më të gjerë mbi martesat e të njëjtit seks, gjyqtarët nuk kanë domosdoshmërisht nevojë të prekin çështjen Obergefell për të zgjidhur këtë rast.

Nëse gjykata vendos ta përdorë këtë rast për të prekur Obergefell, në parashtresën e tyre Ermold dhe Moore argumentojnë se kjo do nxiste zyrtarë të tjerë të shkelin ligjet që nuk i mbështesin, me shpresën se do shpëtohen nga Gjykata Supreme.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e The Guardian