
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar për herë të parë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që i dha të drejtë në çështjen për mandatin e tij, duke e cilësuar këtë si një fitore të demokracisë dhe të qytetarëve të Tiranës.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Veliaj falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe durimin, duke theksuar se vendimi nuk është personal, por institucional.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ishte për të më kthyer mandatin mua, por për t’ua kthyer atyre që ju përket – popullit të Tiranës. Ky nuk është një vendim për një njeri, por për demokracinë shqiptare, për votën e lirë dhe për çdo qytetar që beson se pushteti buron nga populli dhe i përket atij,” shkroi Veliaj.
Ai shtoi se drejtësia kushtetuese ka rivendosur “dinjitetin e ligjit dhe besimin se shteti ka ende busull”, duke e konsideruar këtë vendim si një moment të rëndësishëm për sistemin demokratik.
“E drejta mund të vonojë, por nuk harron,” theksoi Veliaj, duke shtuar se do të vazhdojë punën për Tiranën dhe do të kërkojë që të mos pengohet në ushtrimin e mandatit që i është besuar nga qytetarët.
Në përfundim të reagimit, ai dërgoi një mesazh mirënjohjeje:
“Faleminderit çdo qytetari të Tiranës që besoi, që priti dhe që nuk u dorëzua. Tirana nuk ndalet. Ju dua shumë!”