
Interpol Tirana ka finalizuar ekstradimin nga Italia të 39-vjeçarit shqiptar pjesë e një grupi kriminal të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt vendeve të Europës.
Gjykata e Posaçme (GJKKO) i kishte caktuar më herët masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës.
Njoftimi:
Interpol Tirana
Ekstradohet nga Italia, një tjetër pjesëtar i grupeve kriminale të implikuara në trafikimin e lëndëve narkotike, nga Shqipëria në Europë.
Si rezultat i bashkëpunimit shumë të ngushtë ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit, me homologët e Interpol Romës, u finalizua procedura për ekstradimin nga Italia, në Shqipëri, të shtetasit shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, E. H., 39 vjeç.
Në muajin prill, 2025, GjKKO-ja i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
39-vjeçari akuzohet se gjatë vitit 2021, ka trafikuar lëndë narkotike, nga Shqipëria, në shtete të Europës, për llogari të grupit kriminal në të cilin bënte pjesë.