Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi: Dëshmia e Pacollit zbulon aferën e Vlorës, Balluku dhe kompania turke ndanë koncesionin përpara garës


Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka publikuar një intervistë të biznesmenit Behgjet Pacolli, në të cilën, sipas tij, zbardhen prapaskenat e procedurës së koncesionit për Aeroportin e Vlorës.

Në deklaratën e tij, Bardhi thekson se Pacolli ka rrëfyer publikisht se, përpara hapjes së garës, kishte rënë dakord me Aeroportin e Mynihut për të marrë pjesë në projekt, por më pas ministrja Belinda Balluku kishte “futur në lojë” një kompani turke, e cila përfundimisht u përfshi në koncesion.

Sipas dëshmisë së Pacollit, kompania turke e kishte telefonuar duke i treguar se do të merrte pjesë në dy investime në Shqipëri, në ndërtimin e Spitalit Memorial të Fierit dhe në Aeroportin e Vlorës dhe i kishte kërkuar që të bëheshin bashkë në këtë projekt.

Ai tregon se, përpara se të shpallej fituesi i garës, ministrja Balluku kishte thirrur në takim kompaninë turke, ku ishin ndarë përqindjet e aksionerëve në këtë koncesion.

Në reagimin e tij, Bardhi thekson:

“Dëshmia e biznesmenit Behgjet Pacolli provon se nuk ka garë. Shteti përdoret si fasadë për pazaret ‘gjeostrategjike’ të Edi Ramës dhe se Belinda Balluku ka firmosur me vetëdije për këtë paligjshmëri gjigande.”

Ai shton se nga dëshmia del qartë se koncesioni për Aeroportin e Vlorës është një skemë korruptive e dirigjuar nga Edi Rama dhe e menaxhuar nga Belinda Balluku.

“Në zyrën e Belinda Ballukut përcaktohet sa përqind do të jetë secili aksioner përpara se të hapet gara formalisht. Shqetësimi i saj është të kënaqë partnerin turk në koncesion. Arsyet do t’i tregojë hetimi në SPAK,” deklaron Bardhi.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së i kërkon SPAK-ut që të marrë dëshminë e Pacollit si provë zyrtare, duke e cilësuar atë si “një të dhënë unike që tregon se koka e korrupsionit ende nuk është vendosur nën hetim”.

“Afera e koncesionit të Aeroportit të Vlorës duhet hetuar me shpejtësi, pa ndikim politik dhe me profesionalizëm. Nuk është vetëm korrupsioni në diskutim, por edhe shkelja e kontratave me Bashkimin Europian. Janë shkelur ligji i prokurimeve, Kushtetuta dhe Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me BE-në. Ky është një regres i paprecedentë,” shton Bardhi.

Në fund të reagimit, ai nënvizon se dëshmia e Pacollit hedh dritë edhe mbi “dhuratën urgjente” të spitalit të Fierit, duke thënë:

“Asnjë dhuratë. Vetëm korrupsion.”- shkruan ai.