Vendosni fjalën kyçe....

Filipinet shpallin gjendje të jashtëzakonshme pas tajfunit vdekjeprurës “Kalmaegi”



Presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos Jr., shpalli të enjten gjendje të jashtëzakonshme kombëtare, pasi tajfuni Kalmaegi la pas të paktën 114 viktima dhe mbi 100 persona të zhdukur në provincat qendrore të vendit — duke u bërë katastrofa natyrore më vdekjeprurëse e vitit për arkipelagun aziatik, përcjell AP.

Sipas autoriteteve, shumica e viktimave humbën jetën nga mbytja në përmbytje të menjëhershme, ndërsa 127 persona vijojnë të rezultojnë të zhdukur, kryesisht në provincën qendrore të Cebus, më e goditura nga stuhia.

Zyra e Mbrojtjes Civile njoftoi se pothuajse 2 milionë njerëz janë prekur nga pasojat e tajfunit dhe mbi 560 mijë banorë janë zhvendosur, përfshirë rreth 450 mijë që janë strehuar në qendra emergjente.

Tajfuni, që goditi Filipinet të martën, u zhvendos të mërkurën drejt Detit të Kinës Jugore, pasi shkaktoi përmbytje të mëdha, dëmtime të rrugëve dhe ndërprerje masive të energjisë elektrike në disa rajone.

Presidenti Marcos, gjatë një takimi me ekipet e emergjencës, tha se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme do të lejojë shpërndarjen më të shpejtë të fondeve të ndihmës dhe do të ndalojë abuzimet me çmimet e ushqimeve.

Ndërkohë, Vietnami po përgatitet për ardhjen e tajfunit, i cili po i afrohet bregdetit të tij jugor. Meteorologët paralajmërojnë se Ho Chi Minh City mund të përballet me përmbytje të rënda, pasi reshjet e dendura do të përkojnë me nivelin e lartë të baticës në lumin Saigon.

Pjesë të qytetit pritet të përmbyten me deri në 100 milimetra shi, ndërsa autoritetet kanë urdhëruar shtimin e masave të mbrojtjes në zonat e ulëta.

Tajfuni Kalmaegi është një nga më të fuqishmit që ka goditur Filipinet vitet e fundit, duke sjellë erëra me shpejtësi mbi 160 kilometra në orë dhe shkaktuar dëme të mëdha infrastrukturore në disa ishuj të vendit.