
Ukraina ka kryer një sulm të rrallë me dronë në thellësi të territorit rus, rreth 1,300 kilometra larg kufirit, duke shënjestruar një impiant industrial në qytetin Sterlitamak të rajonit Bashkortostan, njoftuan të martën autoritetet lokale ruse për AP.
Guvernatori rajonal Radiy Habirov tha se dy dronë kishin synuar një objekt industrial, por u rrëzuan nga mbrojtja ajrore dhe nuk pati viktima. Megjithatë, administrata e qytetit raportoi për një shpërthim në Uzinën Petrokimike të Sterlitamakut, që shkaktoi shembjen e pjesshme të sistemit të trajtimit të ujërave. Shkaku i shpërthimit nuk është konfirmuar ende. Uzina prodhon goma dhe karburant për aviacionin dhe nuk është goditur më parë nga sulme.
Sulmet ukrainase në thellësi të Rusisë, duke përdorur dronë të prodhimit vendas, kanë vënë në siklet Moskën dhe kanë tronditur opinionin rus. Kievi ka synuar në muajt e fundit rafineritë e naftës, uzinat ushtarake dhe qendrat logjistike, me qëllim dobësimin e përpjekjeve të Kremlinit për të vazhduar luftën, pothuajse katër vjet pas fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës.
Sipas mediave ruse, shpërthime janë dëgjuar edhe në rajonin e Nizhny Novgorodit, rreth 800 kilometra nga Ukraina, pranë një rafinerie dhe fabrike petrokimike. Autoritetet nuk kanë dhënë ende konfirmim për këto raportime.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se gjatë natës janë rrëzuar 85 dronë ukrainas në disa rajone të vendit, përfshirë Bashkortostanin dhe Nizhny Novgorodin.
Nga ana tjetër, autoritetet ukrainase njoftuan se Rusia ka bombarduar rajonin juglindor të Dnipropetrovskit me dronë, raketa dhe artileri, duke vrarë një person dhe plagosur 11 të tjerë, mes tyre dy fëmijë. Forcat ajrore të Ukrainës thanë se Rusia kishte lëshuar shtatë raketa të tipeve të ndryshme dhe 130 dronë gjatë natës.
Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë bëri të ditur se Rusia kreu dy sulme gjatë natës kundër infrastrukturës portuale ukrainase në lumin Danub, pranë kufirit me Rumaninë, anëtare e NATO-s. Pas shpërthimeve të shumta të vërejtura në anën ukrainase, u ngritën dy çifte avionësh luftarakë rumunë për misione patrullimi ajror.
Në vijën e frontit, betejat më të ashpra po zhvillohen për kontrollin e qytetit të Pokrovskut, një pikë kyçe në rajonin e Donetskut që forcat ruse po përpiqen ta marrin prej më shumë se një viti.
Sipas Institutit për Studimin e Luftës me qendër në Uashington, forcat ruse “vazhdojnë të avancojnë në drejtim të Pokrovskut dhe po veprojnë me gjithnjë e më shumë lehtësi brenda qytetit vetë.”