Vendosni fjalën kyçe....

Paketa Fiskale 2026, Malaj: S’ka rritje taksash, fermerët përfitojnë 1.5 miliardë lekë në vit


Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka prezantuar Paketën Fiskale për vitin 2026, duke theksuar se nuk do të ketë as rritje taksash dhe as taksa të reja.

Sipas tij, ndryshimet e parashikuara synojnë lehtësimin për qytetarët, bizneset dhe veçanërisht sektorin e bujqësisë.

“Ministria e Financave, paralelisht me Buxhetin 2026, ka hartuar edhe Paketën Fiskale 2026, përmes së cilës parashikojmë disa ndryshime ligjore. Dhe, JO nuk do të kemi rritje taksash dhe JO nuk do të kemi taksa të reja.”

Një nga masat kryesore është kompensimi i TVSH-së për fermerët në normën 10%, që sipas Malajt do të lërë në duart e tyre rreth 1.5 miliardë lekë në vit.

Po ashtu, rivlerësimi i pasurive të paluajtshme do të zgjasë gjatë gjithë vitit 2026 me një normë tatimi prej 5%.

“Përmes ndryshimeve, ne nuk synojmë vetëm rritjen e të ardhurave për arkën e shtetit, por edhe t’i vijmë në ndihmë Biznesit, Fermerit dhe natyrisht edhe Qytetarit. Mund të përmend këtu disa nga politikat më të rëndësishme: Skemën e fermerëve, përmes kompensimit të TVSH-së në normën 10%, duke iu lënë në duar fermerëve rreth 1.5 miliardë lekë në vit; Rivlerësimin e pasurive të paluajtshme; Norma e rivlerësimit është 5 % dhe do zbatohet përgjatë gjithë vitit 2026. Zbatimin e Paqes Fiskale, si një reformë që synon të ndërtojë një marrëdhënie të re besimi mes biznesit dhe shtetit” – tha Malaj.