
Ushtria japoneze dërgoi trupa në veriun malor të vendit të mërkurën për të ndihmuar në kapjen e arinjve pas një kërkese urgjente nga autoritetet lokale që po përpiqen të përballojnë një valë sulmesh.
Operacioni filloi në qytetin e Kazunos, ku banorëve për javë të tëra u është thënë të shmangin pyjet e dendura që e rrethojnë, të qëndrojnë në shtëpi pasi të errësohet dhe të mbajnë zile për të penguar arinjtë që mund të kërkojnë ushqim pranë shtëpive të tyre.
Sipas ministrisë së mjedisit, që nga prilli, në të gjithë Japoninë ka pasur më shumë se 100 sulme nga arinjtë, me një numër rekord prej 12 personash të vrarë. Dy të tretat e këtyre vdekjeve kanë ndodhur në prefekturën Akita, ku ndodhet Kazuno, dhe në Iwate, pranë saj, shkruan Reuters.
“Banorët e qytetit e ndiejnë rrezikun çdo ditë”, tha kryebashkiaku i Kazunos, Shinji Sasamoto, pasi takoi rreth 15 ushtarë që hynë në qytet me një kamion ushtarak dhe disa xhipa, të pajisur me jelekë mbrojtës dhe harta të mëdha.
“Kjo ka ndikuar në mënyrën se si njerëzit jetojnë jetën e tyre duke i detyruar ata të ndalojnë së dalëi ose të anulojnë ngjarjet”, tha Sasamoto.
Trupat do të ndihmojnë në transportimin, vendosjen dhe inspektimin e kurtheve të përdorura për të kapur arinjtë, por ata vriten nga gjuetarë të trajnuar me armë më të përshtatshme për këtë qëllim.