
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka vizituar trupat e vendosura pranë qytetit Dobropillia, në lindje të vendit, në një moment kur forcat ruse po ushtrojnë presion të madh mbi Pokrovskun, një qendër strategjike transporti dhe logjistike në rajonin e Donetskut, përcjell DW.
Gjatë vizitës, Zelenskyy u takua me ushtarët që po marrin pjesë në kundërofensivën ukrainase dhe vlerësoi qëndrueshmërinë e tyre përballë ofensivës ruse.
“Kjo është toka jonë, ky është lindja jonë, dhe ne do të bëjmë gjithçka për ta mbajtur ukrainase,” tha presidenti në një deklaratë pas takimeve me trupat në terren.
Vizita e tij vjen në një kohë kur Moska pretendon se po përparon në disa pjesë të frontit lindor, përfshirë zonat përreth Pokrovskut dhe Kupianskut, ndërsa Kievi mohon se ndonjë distrikt i qytetit është nën kontroll rus.
Sipas ushtrisë ukrainase, janë dërguar forca speciale shtesë, armatim dhe pajisje për të mbrojtur qytetin, i cili ka rëndësi kyçe për linjat e furnizimit të Ukrainës në Donetsk.
Ndërkohë, presidenti ukrainas ka theksuar se pavarësisht vështirësive, morali i forcave të armatosura mbetet i lartë dhe se “çdo ditë në front është një hap më afër fitores”.
Vizita e Zelenskyyt shihet si një mesazh i qartë mbështetjeje për trupat në vijën e parë dhe një sinjal ndaj Moskës se Ukraina nuk ka ndërmend të tërhiqet nga lindja e vendit.