
Presidenti Donald Trump tha se nuk pret që SHBA-ja të hyjë në luftë me Venezuelën, por mbrojti sulmet e fundit ushtarake në Karaibe, duke akuzuar regjimin e Nicolás Maduro-s se po përmbyt SHBA-në me kriminelë dhe u pajtua se ditët e Maduros si president janë të numëruara.
Ushtria amerikane ka kryer më shumë se një duzinë sulmesh ndaj anijeve që dyshohet se transportonin drogë në ujërat ndërkombëtare pranë Venezuelës, duke vrarë dhjetëra të dyshuar si narko-terroristë, ndërsa anija luftarake USS Gerald R. Ford dhe grupi i saj sulmues janë vendosur në rajonin e Komandës Jugore të SHBA-së. Përshkallëzimet kanë ngritur pyetje nëse SHBA-ja mund të jetë duke u rreshtuar për të përmbysur presidentin venezuelian, shkruan Fox.
Në një intervistë për emisionin “60 Minutes” të CBS News, gazetarja Norah O’Donnell e pyeti Trumpin për ripozicionimin e USS Gerald R. Ford në Karaibe dhe nëse SHBA-ja do hyjë në luftë me Venezuelën.
“E vë në dyshim, nuk mendoj kështu, por ata na kanë trajtuar shumë keq, jo vetëm për drogën. Ata kanë hedhur qindra mijëra njerëz nga burgjet e tyre në territoprin tonë. Ata zbrazën burgjet e tyre në vendin tonë. Ata gjithashtu, nëse shihni, zbrazën spitalet psikiatrike dhe azilet e tyre të të çmendurve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse Joe Biden ishte presidenti më i keq në historinë e vendit tonë.”