
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar pas debatit publik të shkaktuar nga shifrat e varfërisë të publikuara nga EUROSTAT, duke theksuar se varfëria nuk është më një fenomen i largët, por realiteti i përditshëm i shumicës së familjeve shqiptare.
Në një analizë të detajuar mbi të dhënat e INSTAT dhe Eurostat, Tabaku thekson se “40.5% e shqiptarëve jetojnë në varfëri apo të privuar nga jeta sociale, një shifër dyfish më e lartë se mesatarja e BE-së”. Sipas saj, situata është edhe më dramatike për pensionistët, pasi “700 mijë të moshuar marrin një pension nën kufirin e varfërisë — vetëm 18 mijë lekë në qytet dhe 11 mijë lekë në fshat”.
Deputetja e opozitës nënvizon se çmimet e produkteve bazë janë rritur me 63% në dekadën e fundit, një rritje dy herë më e lartë se në vendet e Bashkimit Europian. “Për një vend që ka të ardhura sa 30% e BE-së, kjo është një kosto e papranueshme. Shqiptarët paguajnë çmime europiane me paga afrikane”, shkruan ajo.
Sipas Tabakut, këto shifra janë vetëm “maja e ajsbergut të krizës që po gërryen xhepat e qytetarëve dhe tryezat e familjeve”. Ajo fajëson një “sistem të korruptuar e të pandershëm që ka ndërtuar një ekonomi të padrejtë ku përfiton pakica në kurriz të shumicës”.
“Ndërtimi sot zë 14% të PBB-së, ndërsa bujqësia është në vdekje klinike. Puna mbitaksohet, shtresa e mesme nënvlerësohet dhe familjet varfërohen çdo ditë. Kjo është Shqipëria e të paktëve,” shkruan Tabaku.
Duke e shoqëruar analizën e saj me reflektim njerëzor, Tabaku shton se pas çdo shifre qëndron një histori e dhimbshme.
“Varfëria nuk është vetëm statistikë, por pasiguria për të nesërmen, mungesa e shpresës, pensionisti që s’mund të blejë ilaçet, prindi që ka fëmijët larg, familja që nuk di si ta mbyllë muajin,” shkruan ajo.
Deputetja e PD-së thekson se politika duhet të flasë me ndershmëri dhe empati për njerëzit që përfaqëson:
“Në politikë mund të jemi më të privilegjuar, por kjo nuk do të thotë që nuk mund të flasim për ta. Unë flas për ta, sepse i kam parë me sytë e mi.”
Në përfundim të reagimit, Tabaku rikujton se zgjidhja kalon përmes politikave të ndershme ekonomike, mbështetjes së shtresës së mesme dhe uljes së taksave për punën dhe biznesin e vogël, jo për përfituesit e privilegjuar të sistemit.