
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas një incidenti në kufi, ku sipas tij, Xhandarmëria serbe ka plagosur dhe rrëmbyer një qytetar të Kosovës me inicialet M.V.
Sveçla tha se Serbia po vazhdon me veprime destabilizuese ndaj Kosovës, duke cënuar integritetin territorial, këtë herë në zonën 0 të kufirit, ku ka prani të shtuar të KFOR-it.
“Në vazhdën e politikave të saj të frikësimit dhe përndjekjeve ndaj qytetarëve që nuk i binden regjimit të Vuçiçit, xhandarmëria serbe ka plagosur duke tentuar ta vrasë dhe më pas e ka rrëmbyer një qytetar me inicialet M.V. Ky është një akt i përsëritur dhe i pandëshkuar”, shkroi Sveçla.
Ai kujtoi se dy vite më parë, njësitë speciale serbe hynë në territorin e Kosovës dhe rrëmbyen tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës, ngjarje pas së cilës ndodhi sulmi terrorist në Banjskë.
Sipas ministrit, veprimet e fundit të Serbisë përfaqësojnë një qasje agresive dhe provokuese që “shkel rëndë kufijtë shtetërorë dhe të drejtat e qytetarëve të Kosovës”.
“Është koha që faktori ndërkombëtar të reagojë me veprime të qarta dhe ndëshkuese ndaj Serbisë, në mënyrë që këto akte armiqësore të mos përsëriten më kurrë,” shtoi Sveçla.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka konfirmuar se qytetari është plagosur dhe më pas rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe.