
Një ortek ka përfshirë një kamp në malin Yalung Ri në Nepal të hënën, duke vrarë pesë alpinistë të huaj dhe dy udhërrëfyes nepalezë, thanë zyrtarët.
Zëdhënësi i policisë tha se pesë persona të tjerë u lënduan në kampin bazë, i cili ndodhet në lartësinë 4,900 metra. Kombësitë dhe identitetet e alpinistëve të huaj ende nuk janë konfirmuar, shkruan CNN.
Moti ka qenë në përkeqësim që nga java e kaluar në Nepal, me stuhi dëbore të raportuara në male.
Shpëtuesit po mbërrinin në vendngjarje në këmbë. Një helikopter shpëtimi u përpoq të arrinte në vend, por moti i keq e detyroi atë të kthehej. Zyrtari tha se ekipet e shpëtimit do e provojnë përsëri të martën në agim të mbërrijnë në vendin e fatkeqësisë. Mali Yalung Ri është një majë me lartësi 5,600 metra. Ai konsiderohet një mal për fillestarët, pa përvojë të mëparshme në ngjitjen e maleve të larta.
Nepali është shtëpia e 8 prej 14 maleve më të larta në botë, përfshirë Malin Everest. Pranvera është sezoni më popullor i ngjitjes, kur moti është i favorshëm. Megjithatë, qindra alpinistë të huaj vijnë për të ngjitur majat më të vogla gjatë muajve të vjeshtës, ndërmjet muajve të shirave muson dhe dimrit.