Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Nuk ka më ujë e drita pa certifikatën e përdorimit, penalizime edhe për zyrtarët që shfrytëzojnë ndërtime pa leje


Kryeministri Edi Rama ka prezantuar paketën e re ligjore për mbrojtjen e territorit, duke paralajmëruar masa të forta kundër ndërtimeve pa leje dhe shkeljeve që kanë rënduar prej vitesh zhvillimin urban në Shqipëri.

Në fjalën e tij, Rama theksoi se një nga elementët më të rëndësishëm do të jetë ndalimi i lidhjes së ujit dhe energjisë elektrike për çdo objekt që nuk ka marrë më parë certifikatën e përdorimit.

“Një element tjetër është që nuk do lidhen më drita dhe ujë nëse objekti nuk do ketë marrë certifikatën e përdorimit. Dhe pasi i fusin njerëzit në apartament, i marrin ata peng dhe ikin duke e bërë të pamundur që pallati të konfiskohet, sepse njerëzit janë brenda. Kjo nuk do lejohet më. Deri në ditën që do merret certifikata e përdorimit, nuk do ketë as ujë as drita,” deklaroi Rama.

Ai shtoi se e njëjta praktikë do të zbatohet edhe për bizneset që operojnë pa leje: “Edhe lokalet që operojnë pa leje do rishikohen, sepse nuk mund të ndodhë që ti operon në paligjshmëri dhe shteti të paguajë ujë, taksa e drita.”

Kryeministri paralajmëroi gjithashtu masa të ashpra ndaj çdo punonjësi të shtetit që rezulton i përfshirë në ndërtimet pa leje.

“Çdo zyrtar apo punonjës i shtetit që gjendet në kushtet që shfrytëzon një ndërtim pa leje, apo familja e tij për qëllim fitimi, do penalizohet. Nuk mund të paguhesh nga taksat dhe të kesh ndërtim pa leje. Shko te kioska atje, por mos puno në shtet,” u shpreh Rama.

Ai solli shembuj të rasteve të zaptimit të hapësirave publike, ku një pjesë e banorëve i kanë shndërruar ato në hapësira private.

 “Nuk mund të thuash unë kam një shesh mes pallateve dhe e rrethoj për të rritur pula, dele e lopë. Janë raste konkrete, jo hipotetike. Nuk është e jotja, pavarësisht se mund të kesh certifikatë prone, sepse është hapësirë e përbashkët deri kur bashkia vendos ndryshe. Nuk mund të pranojmë logjikën e pronës private mbi të gjithë komunitetin.”- tha ai.

Rama e lidhi paketën e re ligjore edhe me procesin e integrimit europian, duke theksuar se vendi nuk mund të ecë përpara pa vendosur rregulla të qarta mbi territorin dhe hapësirat publike.

“Në këtë fazë ku jemi dhe vitet që kemi për të hyrë në familjen e bashkuar europiane, duhet të ndajmë mirë se çfarë është e publikut, e individit, komunitetit, tregtarit, çfarë është e brezave që vijnë dhe çfarë është e brezave që sot punojnë. Ne e kemi bërë këtë vend më të jetueshëm dhe me më shumë rregull, por për ta bërë pjesë të Europës së Ballkanit duhet të hedhim hapa të rëndësishëm përpara,” tha ai.

Kryeministri nënvizoi se reformat ligjore dhe ndëshkimet ndaj shkelësve nuk do të jenë vetëm një akt administrativ, por një domosdoshmëri për t’i dhënë fund kulturës së paligjshmërisë që, sipas tij, ka penguar zhvillimin normal të vendit.