
Një ngjarje e rëndë ka tronditur pasditen e së shtunës fshatin Fushticë e Poshtme në Drenas, ku një person ka mbetur i vrarë me armë zjarri.
Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur më 1 nëntor 2025, rreth orës 13:35, ndërsa viktima nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra. Fillimisht rasti u raportua si plagosje, por më vonë është cilësuar zyrtarisht si vrasje.
Policia ka arrestuar një të dyshuar, mashkull kosovar, i cili akuzohet se ka shtënë me armë ndaj viktimës. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar një pistoletë, një gëzhojë dhe një fishek, që dyshohet se janë përdorur gjatë incidentit.
“Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekspertizë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Hetimet mbi motivet dhe rrethanat e ngjarjes vijojnë.