Vendosni fjalën kyçe....

Xi Jinping në Korenë e Jugut, Samit me Lee mbi tregtinë dhe sigurinë



Presidenti kinez Xi Jinping përmbyll vizitën e tij tre-ditore në Korenë e Jugut me një samit dhe darkë shtetërore të organizuar nga presidenti Lee Jae Myung, në kuadër të forumit APEC.

Vizita e Xi-së, e para në 11 vite, vjen në një moment delikat për rajonin, mes tensioneve të rritura mes SHBA-së dhe Kinës, dhe përpjekjeve të Seulit për të balancuar aleancat strategjike.

Presidenti Lee, i zgjedhur pas rrëzimit të paraardhësit të tij për përpjekje për vendosje të ligjit ushtarak, ka theksuar nevojën për dialog dhe bashkëpunim rajonal, përcjell Reuters.

Ai priti më herët këtë javë edhe presidentin amerikan Donald Trump, me të cilin nënshkroi një marrëveshje tregtare që përfshin ulje tarifash dhe investime koreane në SHBA.

Në samitin me Xi, palët pritet të diskutojnë:

Denuklearizimin e gadishullit Korean, një çështje që Pheniani e ka cilësuar si “ëndërr e parealizueshme”.

Lehtësimin e kufizimeve ndaj përmbajtjes argëtuese koreane, të vendosura nga Kina pas vendosjes së sistemit mbrojtës THAAD në vitin 2017.

Sanksionet ndaj kompanive koreane dhe kontrolli i eksporteve të mineraleve të rralla, që kanë ndikuar në industrinë e ndërtimit detar.

Xi, në fjalimin përmbyllës në APEC, propozoi krijimin e një Organizate Botërore për Bashkëpunim në Inteligjencën Artificiale, ndërsa Lee kërkoi bashkëpunim rajonal për sfidat demografike dhe teknologjike.

Analistët vlerësojnë se Kina nuk ka nisur ende një ofensivë diplomatike ndaj aleatëve të SHBA-së, por mund të kalojë në një fazë të dytë me më shumë presion ose afrime të reja.

 Xi njoftoi gjithashtu se Kina do të presë APEC-un e vitit të ardhshëm në qytetin Shenzhen.