
Pas rrëzimit nga shumica parlamentare të dy kërkesave të Partisë Demokratike për ngritjen e komisioneve hetimore mbi çështjen “McGonigal” dhe zgjedhjet e 11 majit, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër, duke e cilësuar vendimin si antikushtetues dhe një goditje ndaj vetë parlamentarizmit.
Në një deklaratë publike, Bardhi thekson se refuzimi për ngritjen e komisioneve hetimore përbën një mohim të të drejtave kushtetuese të opozitës dhe një përpjekje për të shuar funksionin kontrollues të Kuvendit.
“Shqipëria nuk mund të ketë imazh europian me standarde afrikane,” shkruan ai, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për pengim të transparencës dhe përpjekje për të mbuluar korrupsionin.
Sipas Bardhit, integrimi europian nuk është një ceremoni në Bruksel, por një proces që kërkon pastrim të qeverisjes nga korrupsioni dhe respektim të standardeve demokratike.
“Mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike
Refuzimi nga Edi Rama i të drejtës së opozitës, për ngritjen e dy Komisioneve Hetimore për farsën zgjedhore të 11 Majit dhe aferën personale me “McGonigal”, është një akt antikushtetues që asgjëson një nga funksionet kryesore të Kuvendit – atë të kontrollit parlamentar. Përmes këtij akti Edi Rama nuk asgjeson vetëm të drejtat kushtetuese të opozitës, por vetë parlamentarizmin.
Komisionet Hetimore parlamentare janë instrument i transparencës, jo i bllokimit politik. Ne kërkojmë standardet që ka çdo vend i BE-së, asgjë më shumë. Integrimi europian nuk është ceremoni në Bruksel, por pastrim i korrupsionit brenda qeverisë së Tiranës. Shqipëria nuk mund të ketë imazh europian me standarde afrikane.
Parlamenti nuk duhet të jetë vendi i propagandës së qeverisë, por vendi ku opozita kontrollon, kërkon llogari, nxjerr përgjegjësi. Opozita nuk do të bëhet kurrë një stoli e një bande që pasi asgjesuan zgjedhjet e barabarta dhe të lira, duan të asgjesojnë edhe Parlamentin”, thuhet në postimin e Bardhit.
Në shenjë proteste ndaj vendimit të shumicës, deputetët e opozitës braktisën seancën plenare të 31 tetorit dhe thirrën një mbledhje urgjente të strukturave të Partisë Demokratike.
Opozita ka paralajmëruar se nuk do të tërhiqet nga kërkesa për hetim parlamentar dhe do të vijojë betejën për transparencë dhe llogaridhënie.