
Presidenti amerikan Donald Trump ka organizuar një festë madhështore Halloween-i në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida, ndërkohë që mbyllja e qeverisë amerikane ka hyrë në javën e pestë.
Sipas raportimeve të CNN, festa u mbajt me temë The Great Gatsby dhe me sloganin “A little party never killed nobody”, ndërsa presidenti u pa duke biseduar me senatorin Marco Rubio, përcjell Ynet.
Në tavolinën e tij ishin gjithashtu vajza e tij Tiffany Trump dhe i fejuari i saj Michael Boulos.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë publikoi një video festive me tone të errëta, që e paraqiste Kongresin amerikan si një ndërtesë të braktisur dhe të pushtuar nga fantazma.
Në video, që akuzon udhëheqësit demokratë për mbylljen e qeverisë, dëgjohet narracioni: “Kombit i ka rënë heshtja, në dritën e mesnatës. Kongresi është mbyllur. Nuk dëgjohen zëra, ndërsa mbyllja e Demokratëve sjell dëshpërim. Udhëheqësit e partisë së tyre enden si fantazma që përndjekin amerikanët.
Në postimin shoqërues në X (ish-Twitter), Shtëpia e Bardhë shkroi: “Mesa duket, fantazmat nuk janë të vetmet që zhduken këtë Halloween — edhe Demokratët janë zhdukur bashkë me ta.”
Festimet nuk munguan as në Shtëpinë e Bardhë, e cila ishte zbukuruar me kunguj dhe ndriçuar me drita portokalli.


Në një tjetër postim, çifti presidencial u pa duke shpërndarë çokollata për fëmijët e veshur me kostume, përpara se të niseshin drejt Floridës.
Edhe zëvendëspresidenti J.D. Vance u bashkua me atmosferën, duke postuar një video në të cilën, i veshur me një paruke kaçurrelë, uronte qytetarët për festën: “Mos harroni të thoni faleminderit kur shkoni për karamele.”

Por festat vijnë në një moment tensionesh politike.
Dy gjyqtarë federalë urdhëruan që programi kombëtar i ndihmës ushqimore SNAP, që mbështet rreth 42 milionë amerikanë, të vazhdojë të financohet pavarësisht mbylljes së qeverisë.
Vendimi erdhi një ditë përpara se Departamenti i Bujqësisë të ndalte pagesat për këtë program jetik.
Trump reagoi në Truth Social, duke shkruar:
“Avokatët tanë qeveritarë mendojnë se nuk kemi autoritetin ligjor për të financuar SNAP me disa prej fondeve në dispozicion. Dy gjykata kanë dhënë vendime të ndryshme dhe duam qartësi ligjore sa më shpejt. Nuk dua që amerikanët të mbeten pa ushqim vetëm sepse Demokratët radikalë refuzojnë të bëjnë gjënë e duhur dhe të rihapin qeverinë.”
Ai shtoi se, nëse gjykata i jep udhëzimet e duhura, “do të jetë nderi im të siguroj financimin, njësoj siç bëra për ushtrinë dhe forcat e rendit. Demokratët duhet ta ndalojnë këtë farsë ku lëndojnë qytetarët për arsye politike dhe të rihapin menjëherë qeverinë.”
Një sondazh i ri i ABC News tregon se 45% e amerikanëve fajësojnë republikanët për mbylljen e qeverisë, ndërsa 33% fajësojnë demokratët. 63% e të anketuarve thanë se nuk janë të kënaqur me mënyrën si po e trajton situatën presidenti Trump.
Në mbyllje të një nate festive me drita, kunguj dhe tinguj jazz-i, mesazhi i Shtëpisë së Bardhë mbeti po ai që tingëlloi nga videoja e saj: një Halloween politik, ku fantazmat nuk janë thjesht për frikë, por për faj.