Vendosni fjalën kyçe....

Shehaj: Veliaj duhet të kërkonte falje, jo të bënte farsë


Kryetari i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka reaguar me një video-mesazh pas paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në Gjykatën Kushtetuese, duke e cilësuar si një farsë politike dhe institucionale.

Shehaj tha se Veliaj, i akuzuar për korrupsion nga SPAK, duhej të kërkonte ndjesë para qytetarëve, jo të inskenonte përplasje me kryeministrin Edi Rama.

“Më fal, më vjen keq” duhet të kishin qenë fjalët e një kryetari Bashkie të cilit i kanë arrestuar pothuaj të gjithë drejtorët, u shpreh ai.

Sipas Shehajt, ajo që po ndodh në Kushtetuese është një përpjekje për të krijuar iluzionin e konfliktit mes dy figurave të larta të mazhorancës, ndërkohë që drejtësia ka vepruar ndaj zyrtarëve të Bashkisë Tiranë për korrupsion.

“Kjo është farsa që vazhdon sot në Gjykatën Kushtetuese, ky është turpi,” përfundoi Shehaj.

 

Deklarata e Agron Shehajt

“Më fal, më vjen keq”.
Këto duhet të kishin qenë fjalët e Erion Veliajt sot në Gjykatën Kushtetuese.
Këto duhet të kishin qenë fjalët e një ish- kryetari Bashkie i cili është akuzuar për korrupsion.
“Më fal, më vjen keq” duhet të ishin fjalët e një kryetari Bashkie të cilit i kanë arrestuar pothuaj të gjithë drejtorët.
Por kjo nuk ndodhi.
Sepse ajo që po ndodh në Gjykatën Kushtetuese është thjesht një farsë. Një farsë përplasja gjoja midis Erion Veliajt dhe Edi Ramës.
Kjo është farsa që vazhdon sot në Gjykatën Kushtetuese, ky është turpi!