Vendosni fjalën kyçe....

Pakistani dhe Afganistani bien dakord për zgjatjen e armëpushimit


Pakistani dhe Afganistani ranë dakord të enjten të zgjasin armëpushimin pas bisedimeve të paqes në Stamboll, pas përleshjeve të tyre më vdekjeprurëse kufitare në vite.

Një raund pasues negociatash do të mbahet në Stamboll javën e ardhshme, tha Ministria e Jashtme e Turqisë.

Sipas ministrisë, të dyja palët do të takohen përsëri më 6 nëntor për të finalizuar një mekanizëm monitorimi për të “siguruar ruajtjen e paqes dhe vendosjen e ndëshkimeve ndaj palës shkelëse”.

Bisedimet e paqes, të ndërmjetësuara nga Turqia dhe Katari, kishin dështuar më parë këtë javë, të cilat media shtetërore afgane ia atribuoi “kërkesave të paarsyeshme të palës pakistaneze”, raporton DW.

Zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid, konfirmoi përfundimin e bisedimeve dhe tha se Afganistani kërkon “marrëdhënie të mira me Pakistanin bazuar në respekt të ndërsjellë dhe mosndërhyrje”.

Qeveria e Pakistanit nuk ka dhënë asnjë koment.

Armëpushimi u shpall për herë të parë më 19 tetor dhe pasoi dhunën që vrau dhjetëra njerëz pasi Pakistani nisi sulme ajrore në territorin afgan që synonin militantët talebanë pakistanezë.

Islamabadi akuzon Kabulin për strehimin e grupeve militante që ndërmarrin sulme ndërkufitare, veçanërisht të Tehreek-e-Taliban Pakistan (TTP), të cilët, sipas tij, veprojnë nga territori afgan.

“Çdo sulm terrorist apo çdo sulm vetëvrasës me bombë brenda Pakistanit do t’ju japë shijen e hidhur të fatkeqësive të tilla”, tha më parë këtë javë Ministri pakistanez i Mbrojtjes, Khawaja Asif.

Kabuli i mohoi pretendimet dhe i dënoi sulmet si shkelje të sovranitetit të saj.

Ministri i Brendshëm i talebanëve, Sirajuddin Haqqani, tha të enjten se “disa (në Pakistan), me vetëdije ose pa vetëdije, po luajnë me zjarrin dhe luftën”.

Ai shtoi se afganët “nuk duan luftë”, por për Kabulin, “mbrojtja e territorit është një nga prioritetet”.

Ndërsa armëpushimi është mbajtur kryesisht, kufiri midis dy vendeve mbetet i mbyllur, duke bllokuar qindra kamionë dhe duke ndërprerë tregtinë përgjatë kufirit prej 2,600 kilometrash.