
Mungesa e vazhdueshme e stafit në qendrat e kontrollit të trafikut ajror në SHBA po shkakton sërish vonesa të gjata në fluturime, teksa mbyllja e qeverisë amerikane po i afrohet muajit të parë, përcjell AP.
Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, paralajmëroi se udhëtarët do të përballen me gjithnjë e më shumë anulime dhe vonesa, pasi kontrollorët e trafikut po punojnë pa pagesë që prej mbylljes më 1 tetor.
“Çdo ditë do të ketë më shumë sfida,” tha Duffy pas një takimi me zëvendëspresidentin JD Vance dhe drejtues të industrisë së aviacionit, duke theksuar ndikimin e madh që po ka kriza tek udhëtimet ajrore.
Administrata Federale e Aviacionit (FAA) raportoi mungesa të personelit që po shkaktojnë vonesa në disa aeroporte kryesore, përfshirë Bostonin, Nju Jorkun, Nashville, Hjustonin, Dallasin dhe Newark-un. Në disa raste, vonesat kanë arritur deri në dy orë e më shumë.
Sipas të dhënave të kompanisë “Cirium”, sistemi i aviacionit amerikan ka shënuar për herë të parë një “ngadalësim të gjerë” që prej fillimit të mbylljes së qeverisë, duke sugjeruar se problemet e stafit po përhapen në gjithë vendin.
Ndërkohë, kontrollorët e trafikut po punojnë me orë shtesë të detyrueshme – gjashtë ditë në javë – pa asnjë pagesë, duke e pasur të pamundur të mbulojnë shpenzimet bazë. “Kërkesa për të punuar një muaj të tërë pa pagesë është e papërballueshme,” tha presidenti i Shoqatës Kombëtare të Kontrollorëve të Trafikut Ajror, Nick Daniels.
Vetëm fundjavën e kaluar, një mungesë e tillë e stafit detyroi FAA-në të ndalonte përkohësisht fluturimet drejt aeroportit ndërkombëtar të Los Anxhelosit për gati dy orë.
Aktualisht, FAA raporton një mungesë prej rreth 3,000 kontrollorësh në shkallë kombëtare, çka e bën situatën edhe më të rëndë gjatë mbylljes së qeverisë.