
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar se ka urdhëruar rinisjen e menjëhershme të testimeve bërthamore, duke i kërkuar Departamentit të Luftës që të “përputhë programet amerikane me ato të vendeve të tjera”. Ai e quajti këtë një “hap të domosdoshëm për ruajtjen e barazisë globale”, përcjell Fox News.
Në një postim në Truth Social mbrëmjen e së mërkurës, Trump shkroi:
“Shtetet e Bashkuara kanë më shumë armë bërthamore se çdo vend tjetër. Kjo u arrit gjatë mandatit tim të parë, përfshirë modernizimin e plotë të arsenalit ekzistues. Për shkak të fuqisë së tyre shkatërruese, E URREJA ta bëja këtë, por nuk pata zgjidhje tjetër!”
Ai shtoi se, për shkak të testimeve që po kryejnë vendet e tjera, ka urdhëruar që “Departamenti i Luftës të nisë menjëherë testimet bërthamore të SHBA-së në baza të barabarta”.
Ky vendim vjen pak ditë pasi Trump paralajmëroi presidentin rus Vladimir Putin se SHBA ka “një nëndetëse bërthamore të pozicionuar pranë brigjeve ruse”. Paralajmërimi pasoi testet e fundit të raketave nga Rusia.
Gjatë një bisede me gazetarët në Air Force One, Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara “nuk po luajnë lojëra” me Moskën.
“Ne kemi nëndetësen më të madhe në botë, dhe ajo ndodhet afër brigjeve të tyre. Nuk ka nevojë të fluturojë 8 mijë milje. As ne, as ata nuk po luajmë lojëra.”
Rusia njoftoi të dielën se kishte testuar me sukses raketën Burevestnik, një raketë lundrimi me energji bërthamore, e aftë të udhëtojë mbi 8,000 milje dhe të shmangë sistemet mbrojtëse. Sipas ministrisë ruse të mbrojtjes, raketa qëndroi në ajër 15 orë gjatë testit të zhvilluar më 21 tetor.
Trump ka lënë të kuptohet gjithashtu se mund të vendosë sanksione të reja ndaj Rusisë, duke thënë shkurtimisht për gazetarët: “Do ta merrni vesh.”