Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-ja mund të miratojë ligjin që “frenon” ndryshimin e kufijve në Ballkan


SHBA-ja mund të vulosë me ligj mosndryshimin e kufijve në Ballkanin perëndimor.

Kjo përfshin mosndarjen e territoreve, shkëputjen e tyre apo ndonjë ndryshim tjetër kufitar bazuar në baza etnike mes vendeve, ku bëjnë pjesë edhe Kosova, Serbia e Republika Sërpska në Bosnjë.

Dokumenti titullohet “Akti i Demokracisë dhe Progresit në Ballkanin Perëndimor” dhe përpara se të shkojë për firmën e Trump, duhet të miratohet nga Kongresi e Senati i SHBA-së.

Dokumenti është pjesë e Seksionit 11 të projektligjit, që merret me raportet midis Kosovës dhe Serbisë, dhe thekson se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, e arritur më 27 shkurt 2023 me mbështetjen e Bashkimit Evropian, duhet të zbatohet shpejt. Ligji nxit bisedat dypalëshe, nisma konkrete për rritjen e tregtisë dhe investimeve, si dhe mbështetje nga SHBA-ja për një marrëveshje përfundimtare, shkruan Koha.

“SHBA-ja nuk do të ndjekë asnjë politikë që mbështet shkëmbimet e territoreve, shkëputjen ose forma të tjera të rivizatimit të kufijve përgjatë vijave etnike në Ballkanin Perëndimor si një mjet për të arbitruar mosmarrëveshjet midis shteteve kombëtare në rajon”, thuhet në projektligj.

Projektligji më 9 tetor të këtij viti i është referuar Komitetit për Punë të Jashtme dhe Komitetit të Drejtësisë, për shqyrtim të pjesëve që i përkasin juridiksionit të secilit. Afati i shqyrtimit nuk është përcaktuar ende, dhe komitetet mund të kërkojnë dëshmi, ndryshime, apo amendamente para se ligji të kthehet në Dhomën përkatëse për votim.

Ligji duhet të kalojë komitetin, dhe komiteti mund të bëjë ndryshime ose të mos e miratojë fare. Nëse kalon komitetin, ai shkon për votim në Dhomën e Përfaqësuesve ose Senat, në varësi se ku filloi procedura. Vetëm pas miratimit nga të dyja dhomat dhe nënshkrimit nga presidenti, bëhet ligj.