
Deputeti Ivi Kaso, gjatë diskutimit në Kuvend për raportin e PD-së mbi shkarkimin e kryetarit Niko Peleshi, deklaroi se parlamenti po rrëshqet drejt një institucioni formal dhe të nënshtruar.
Sipas Kasos, Peleshi ka kryer shkelje të përsëritura që kanë cenuar autoritetin e Kuvendit dhe kanë mbyllur zërin e opozitës.
Ai theksoi se kërkesa për shkarkim nuk është një akt politik, por një thirrje për rikthimin e standardeve institucionale dhe dinjitetit parlamentar.
“Sot nuk jemi në një seancë me rend dite të zakonshëm dhe për të bërë debat por për të adresuar një zgjidhje në të cilën kuvendi po rrezikon të kthehet në një institucion formal, pa zë dhe pa dinjitet, dhe kjo nuk po vjen si pasojë e ndonjë sulmi apo krize të jashtme, por i mënyrës se si po drejtohet ky institucion nga kryetari Peleshi.
Në dy seanca 16 dhe 18 shtator, vetëm 4 dhe 6 ditë pasi ishte betuar mbi Kushtetutë, zoti Peleshi ka konsumuar një sërë shkeljesh të rënda, të përsëritura dhe të qëllimshme, që nuk kanë pasur vetëm mbylljen e zërit të opozitës në parlament, por kanë cenuar autoritetin e organit më të lartë në një shtet demokratik.
Kjo nismë për shkarkim nuk është aksioni i radhës për një opozitë, apo akt politik i zakonshëm por thirrje për një përpjekje të përbashkët për të ndaluar një rrëshkitje të rrezikshme të këtij kuvendi drejt një institucioni të heshtur, të nënshtruar dhe të zbrazët nga përmbajtja. Nuk kërkojmë ndëshkimin e një personi të vetëm por rikthim të standarteve institucionale.”, tha Ivi Kaso.