
Mbreti i Britanisë Charles i ka hequr vëllait të tij më të vogël Andrew titullin e princit dhe e ka detyruar atë të largohet nga shtëpia e tij pranë Kështjellës ëindsor, njoftoi të enjten Pallati Buckingham, duke e ndëshkuar atë për lidhjet e tij me abuzuesin seksual të ndjerë Jeffrey Epstein.
Andrew, 65 vjeç, vëllai më i vogël i Charles dhe djali i dytë i Mbretëreshës së ndjerë Elizabeth, ka qenë nën presion në rritje për sjelljen e tij dhe lidhjet me Epstein-in dhe më herët këtë muaj ai u detyrua të ndalonte përdorimin e titullit të tij të Dukës së Jorkut.
Charles tani i ka përshkallëzuar veprimet e tij kundër Andrew-t duke i hequr atij titujt, duke e lënë atë të njihet si Andrew Mountbatten Windsor, shkruan Reuters.
Deklarata e Pallatit Buckingham tha se një njoftim zyrtar tani i është shërbyer Andrew-t për të dorëzuar rezidencën e tij Royal Lodge në Pronën Windsor, në perëndim të Londrës dhe ai do zhvendoset në një akomodim tjetër privat në Anglinë lindore, në Norfolk.
“Këto qortime konsiderohen të nevojshme, pavarësisht faktit se ai vijon të mohojë akuzat kundër tij,” tha pallati.
“Madhëritë dëshirojnë të bëjnë të qartë se mendimet e tyre kanë qenë dhe do mbeten, me viktimat dhe të mbijetuarit e çdo forme të abuzimit.”

Një burim i pallatit tha se ndërsa Andrew vijoi të mohonte akuzat kundër tij, ishte e qartë se kishte pasur gabime serioze në gjykim. Burimi tha se vendimi u mor nga Charles, por se monarku kishte mbështetjen e familjes më të gjerë, përfshirë trashëgimtarin e fronit, Princin William.
Në javët e fundit, gazetat britanike e kanë kthyer fokusin e tyre te financat e Andrew-t, pasi The Times raportoi se ai nuk kishte paguar qiranë e rezidencës së tij me 30 dhoma për dy dekada, por kishte financuar të paktën 7.5 milionë paund (10.07 milionë dollarë) rinovime kur u zhvendos.
Në një ndërhyrje të rrallë politike, një komision parlamentar britanik të mërkurën kishte vënë në dyshim nëse Andreë duhej të jetonte ende në atë shtëpi.
Princesha Eugenie dhe Princesha Beatrice do ruajnë titujt e tyre, pasi ato janë vajzat e djalit të një Sovrani. Kjo është në përputhje me dokumentin e Mbretit George V të vitit 1917.